Deputeti i PD Belind Këlliçi komentoi protestën e nesërme që do të mbahet përpara Kryeministrisë, ku ka deklaruar se mitingu i nesërm është rikthimi i PD në ADN e saj.
Po ashtu ai tha se nesër do të jetë protesta e opozitës që nuk shet kauza, duke thumbuar kështu ish-kreun e PD Lulzim Basha, për të cilin tha se nuk do të ketë më sulme.
Belind Këlliçi: Është rikthimi i PD në ADN e saj , në misionin e saj të të bërit opozitë. Me të dëgjuar zërin e tyre patjetër që do të udhëhiqesh. A duhet të ketë qëndresë, rezistencë kjo mbetet për t’u parë. Nuk besoj që të gjitha përgjigjet do të jepen nesër dhe po ashtu gjykoj se kjo protestë është e vonuar, si një kërkesë emergjente për të pasur opozitë. Protestë e një opozitë që nuk shet kauza, që nuk i lë kauzat përgjysmë. Një pjesë e kauzave janë lënë në gjysmë dhe nuk janë çuar deri në fund nga lidershipi i kaluar. Ne në ADN tonë rikthehemi në opozitë. Ritheksoj, zero sulm ndaj Lulzim Bashës. Të mos harxhojmë kohë me zotin Basha, të mbetemi tek opozita. Sot keni në studio një ndër politikanët e PD ku nuk gjeni një fyerje me persona që kam ndarë sheshin e protestës, kam pikëpamje ndryshe, por kam thënë që duhet të jemi bashkë. Kur jam votëbesuar, jam votëbesuar për të qenë kundër Ramës dhe krah qytetarëve.