Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të të atit, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është liruar nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, dhe është kthyer në Kosovë.
Ai ndodhet në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, aty ku është shtruar i ati i tij. Veseli do qëndrojë tre ditë në Kosovë, ndërsa po ruhet nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë policinë e EULEX-it.
Ditën e premte, një panel i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale kanë refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime në luftën e Kosovës për liri.
Veseli ka qenë një ndër figurat kyçe të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.