Ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe ka vdekur në spital pasi u qëllua me armë zjarri në një ngjarje të fushatës politike, thonë mediat lokale.
Zoti Abe u qëllua dy herë teksa po mbante një fjalim në qytetin jugor të Nara të premten në mëngjes.
Ai u rrëzua menjëherë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt. Pamjet e marra në vendngjarje treguan se ai kishte gjakderdhje.
Zyrtarët e sigurisë në vendngjarje e ndalën autorin e armatosur dhe i dyshuari 41-vjeçar tani ndodhet në paraburgim nga policia.
Në një konferencë emocionale për shtyp më herët, kryeministri Fumio Kishida u tha gazetarëve se zoti Abe ishte në një “gjendje shumë të rëndë”.
“Aktualisht mjekët po bëjnë gjithçka që munden,” tha zoti Kishida i cili dukej se po i mbante lotët, duke shtuar se ai “po lutej nga zemra” që zoti Abe të mbijetonte.
Ai gjithashtu dënoi sulmin, duke thënë: “Ai është barbar dhe keqdashës dhe nuk mund të tolerohet”.
Agjencia e Menaxhimit të Zjarrit dhe Fatkeqësive konfirmoi se Abe kishte një plagë plumbi në të djathtë të qafës dhe gjithashtu pësoi gjakderdhje në pjesën e majtë të gjoksit.
Është e paqartë nëse të dyja të shtënat e kanë goditur atë, apo nëse një plumb e ka goditur në qafë dhe mw pas ka bërë rikoshet në trup.
Transmetuesi kombëtar NHK tha se Abe ishte “i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm” ndërsa ai u transportua në spital, duke cituar burime policore.
Vëllai më i vogël i Abe u tha më herët gazetarëve se ish-kryeministri po merrte një transfuzion gjaku.
Ish-guvernatori i Tokios Yoichi Masuzoe kishte thënë më herët në një postim në Twitter se zoti Abe ishte në një gjendje arresti kardiopulmonar. Termi përdoret shpesh përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht në Japoni.