Prej ditësh opozita dhe mbështetës të saj kanë zbarkuar në rrugët e Shkupit duke dalë katagorikisht kundër Planit Francez. Madje parti shqiptare si Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës kërkojnë të hiqet kufizimi 20% për shqiptarët në Kushtetutë. Por mesaduket jo të gjithë janë kundër këtij plani.
Priza.al ka biseduar me analistin politik në Shkup Fatos Rushiti I cili jep edhe arsyet pse ky plan duhet pranuar. Cështjet e Ballkanit, problemet apo të mirat që sjell nisma Open Ballkan, situata në tërësi dhe aleanca e vjetër e Serbisë me Rusinë. Analisti Rushiti nuk nguron të kritikoj ashpër kreun e qeverisë shqiptare
Edi Rama si për aleancën e tij me Vuçiç apo qoftë edhe më mënyrën se si ai sillet me Europën. Sipas Rushitit duke bashkëpunuar me presidentin serb, Rama injoron gjakun e derdhur për Kosovën. Deklaratat e Ramës për BE Rushiti i quan si deklarata e një palaçoje që ka humbur rrugën
“VMRO po e shfrytëzon kartën e nacionalizmit vetëm për të ardhur në pushtet”
-Ajo që po ndodh në Shkup është vërtet pasqyrim i një ndjeshmërie dhe për pasojë edhe kundërshtie ndaj planit francez apo ka interesa dhe nxitje të tjera ?
Fatkeqësisht VMRO DPMNE-ja opozitare ende nuk ka bërë reforma partiake dhe të distancohet qartësisht nga elementet brenda saj ekstremiste dhe nga ish kupola drejtuese e mëhershme, gjysma e së cilës tani më janë të dënuar me burgim për disa vepra penale. Pothuajse të njëjtit njerëz u panë këto ditë në protesta para qeverisë dhe të cilat ishin afër të eskalojnë me përplasje ndërtnike afër përmendores së Skëndërbeut në Shkup. VMRO po e shfrytëzon kartën e nacionalizmit në parim si kundërshtim ndaj planit francez por që realisht mendoj se po e përdor për të ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të parakohshme. Gjithsesi në këtë rast në protesta apsolut nuk mund të përjashtohet se mund te inflirtohen edhe interesa tjera që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Ka info se të njëjtit njerëz që ishin protagonist të ngjarjeve të dhunshme të 17 prillit të 2017-ës në Parlament ku ishin të inflirtuar edhe agjentë rus, pra janë parë edhe në protestave fundit.
“Jam pro planit francez, por gjithçka duhet të realizohet me Bullgarinë pasi Maqedonia e Veriut të marë datën për anëtarësim”
–Ju vetë jeni pro apo kundër këtij plani, pra planit Francez?
Unë personalisht jam pro planit francez meqë ai ofron siguri të menjëhershme për marrjen e datës për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut për në BE. Kjo ka rëndësi jo vetëm politike por edhe gjeostrategjike per vetë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut që përmes afrimit të anëtarësimit në BE të avancojnë me ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë.
Nga ana tjetër ky plan krijon premisa se si Maqedonia dhe Bullgaria t’i rregullojnë çështjet e hapura mes vete, me udhëzimin prioritar që minoriteti bullgar të futet në kushtetutën e vendit, të realizohet marrëveshja për fqinjësi të mires mes dy vendeve, të gjitha këto pasi vendi të merr datën për anëtarësim.
„Orientimi politik i liderëve dhe partive politike maqedonase është i gabuar në raport me të kaluarën e tyre historike dhe të ardhmen e shtetit“
–Në fakt si e shihni si kauzë? A duhet që për hir të integrimit europain një vend të bëj kaq tolerime deri në ndryshimin e fakteve të historisë . një lëshim i tilël u bë me Greqinë për emrin tani Bullgaria këkron për gjuhën.
Sa i përket marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, ajo duhej bërë nga shkaku se Maqedonia e kishte kusht të hershëm jo vetëm nga Greqia por dhe nga vetë BE me Samitin e Selanikut në të cilin ishin tre çështje të hapura që duhej të mbylleshin nga vendet e Ballkanit Perëndimor që më pastaj këto shtete të mund të anëtarësohen në BE. E para ndodhi me sukses, kurse e dyta po aq e rëndësishme marrëveshja për mbylljen e çështjeve të hapuara mes Serbisë dhe Kosovës dhe e treta marëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit. Meqë pyetja e juaj kërkon përgjigje më të thella, e kemi me patjetër të ndalemi shkurt tek sjellja politike dhe orientimi politik i gabuar i liderëve dhe partive politike maqedonase në raport me të kaluarën e tyre historike dhe të ardhmen e shtetit. Për dallim nga Greqia e cila e kontestonte terësisht ekzistencën e popullit maqedonas në antikitet, edhe Bullgaria me të drejtë fillimisht por jo deri në fund e konteston gjuhën maqedonase. E them këtë pasi që, kombi maqedonas u krijua në Jugosllavinë e Titos dhe me atë dhe alfabeti dhe gjuha maqedonase u krijua pasi u krijua Republika-Shteti Maqedonas. Dhe këtu Bullgarët janë ok por tek maqedonasit është mashtrim sepse politikanaët e tyre kanë ushqyer popullin dhe veten se gjuha e tyre dhe historia kombëtare fillon me antikitet dhe me kryengritjen e Krushevës. Për këtë të fundit Bullgaria me të drejtë mban qëndrimin se në atë kohë krerët e saj Goce Dellpev dhe Nikolla Karev dhe të tjerë kanë folur bullgarisht dhe janë bullgarë. Nga ana tjetër Maqedonasit thonë se ata nuk janë bullgar por maqedonas( pjesa e VMRO-së) edhe ata të hershëm e që janë sllavizuar nga sllavët. Dhe kjo histori është ushqyer që nga viti 1945-të e këndej. Kur kësaj i shtojmë dhe pafuqinë politike dhe ekonomike dhe aspekteve tjera të shtetit në raport me vendet tjera si Serbia, Bullgaria, Greqia, si dhe pozitën e veçantë gjeostrategjike të shtetit, në tokën e të cilit u zhvilluan luftërat ballkanike, kjo nga njëra anë, dhe nga ana tjetër mungesën e politikanëve vizionarë që do të dinin të ndërtonin histori të re politike pasi përqafuam pluralizmin, e jo të humbnin kohën dhe me ndërtim të histories antike, shoqëruar me përmendore pa fund, natyrisht Maqedonia moti do të ishte anëtare e BE-së. Kujtojmë se ky shtet para Kroacisë, që në 2005 nisi negociatat për anëtarësim, biles për ironi kroatët në 2006-ën vinin tek ne për të parë përvojën e Maqedonisë, e tani ata i kemi në BE ndërsa ne duhet të presim 2030-ën mos më shumë për të qenë pjesë e BE-së.
–Gjendet gjithmonë një pengesë. Por a ka nevojë Ballkani për Europën apo Europa për Ballkanin.. Ka zëra si ai i kryeministrit shqiptar që thotë që Europa ka nevojë për Ballkanin.
Padyshim që më shumë Ballkani ka nevojë për Europën, nëse e marrim BE si subtract zhvillimor kontinental, e fare pak Evropa për BE-në. Unë mendoj se Evropën duhet ta bëjmë ne vetë duke ndërtuar Shtetin ligjor, me theks edhe inspektoriatet, përveç gjyqësorit të pavarur dhe të ndërtojmë demokracinë duke mos future duat në kutitë votimit dhe blerë votat e lira. Ajo çfarë thotë kryeministri Shqiptar është alogjike, kjo pasi ajo çfarë thotë ai do të kishte kuptim kur Shqipëria do të ishte një vend i zhvilluar ekonomikisht, me investime në turizëm, dhe do të ishte faktor rajonal në shumë fusha përfshirë edhe atë të sigurisë. Por meqë Edi Rama ka në burg vetëm dy ish ministra të tij, kaq mjafton për të thënë se Evropa nuk ka çfarë sheh pozitive tek ne. Këtu po përmend një shembull se si në Slloveni pas viit 1990-të kur vendi ishte ndarë nga Ish Jugosllavia jo pa përpaslje dhe pa bujë, atje lindi një lëvizje me emrin “Evropa zdaj apo Evropa jemi ne” që në fakt thoshin se ne duhet ‘’ta bëjmë Evropën’’ e mos të presim vetëm prej saj, por tashmë dihet ku janë Sllovenët e ku jemi ne.
„Pres që planin francez ta pranoj edhe opozita. VMRO nuk ka fuqinë për destabilizim“
-Ka një shqetësim në rritje se trazirat në Maqedoninë e Veriut po favorizojnë Moskën që të mund ta ketë më të lehtë ndërhyrjen në Ballkan, kur them ndërhyrje kam parasysh ndikim për antieuropianizëm.
Si e shihni në përgjithësi situatën politike në Maqedoninë e Veriut?
Situata politike aktualisht nuk është aq dramatike sa lajmërohet në media. Pamë se partia opozitare Aleanca për Shqiptarët u distancua nga bashkëpunimi me VMRO-në, dhe bashkë me partinë tjetër opozitare Lëvizjen BESA dolën pro planit francez. Edhe VMRO që proteston në rrugë, pranoi të jetë pjesë e grupeve punues për t’i sqaruar dilemat në Parlament rreth planit francez dhe për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët të të gjithë aktorëve politik ndaj këtij plani. Pres që ditëve në vazhdim, presioni i aktorëve ndërkombëtar të jetë i lartë ndaj VMRO-së që edhe kjo parti në fund fare të përkrah planin francez. Unë nuk mendoj se lideri i VMRO-së Mickovski ka tagrin të rrezikojë për të nxitur më shumë protesta për t’a destabilizuar vendin sepse mendoj se mund ti kthehet boomerang në popull nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Nuk mendoj se maqedonasit janë aq të marrë që t’i shkojnë pas atij dhe radikalistit të majtit Apasievit për ta prishur rendin dhe sigurinë në vend.
„SHBA do t´i japë Vuçiç rolin e lidershipit në Ballkan, me kushtin që të largohet nga Putin. Rama shërbëtor i Vuçiç“
–Open Ballkan, si e shihni si grupim dhe a ka kuptim ai kur është me vetëm 3 vende?
Mosprania e Kosovës në këtë tryezë mund të lidhet vetëm me faktin që Serbia se ka njohur e mesaduket nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën shtet apo vërtet Open Ballkan nuk sjell të mira për të gjitha vendet?
Unë në parim nuk mund të jem kundër iniciativave të tilla kur bëhet fjalë për liri të qarkullimit të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve mes popujve dhe vendeve. Por kur kësaj i prin një ish bashkëpunëtor i Millosheviçit, si Vuçiq, e që çuditërisht i shkon pas kryeministri shqiptar, i cili ka kapur në dorë të gjitha pushtetet, dhe pa asnjë model bashkëpunimi mes kombit shqiptar që jeton në pesë vende, dhe kur kundërshtohet aq hapur nga Qeveria e Kosovës, natyrisht nuk mendoj se është në dobi të shqiptarëve. Disa marrëveshje si ajo e njohjes së diplomave ajo bëhet mes dy shteteve pra si çështje bilaterale, e jo të përdoret reklamë politike për Ballkanin e Hapur. Nga aspekti gjeostrategjik duket një investim i kotë amerikanëve për t’a tërhequr Vuçiqin nga Rusia me gjasë duke i premtuar lidership ballkanik me shërbëtor jo simpatik si Rama.
„Rama në Bruksel si një palaço që ka humbur rrugën e tij“
–Si ju duk paraqitja në Bruksel e kryeminiszrit shqiptar Edi rama atij të Maqedonisë së veriut Kovacevski dhe presidentit serb. A ishte një tregim force?
Qëndrimi i kryeministrit shqiptar nuk ishte një tregim force por ishte qëndrim i një palaçoje që ka humbur rrugën në oborrin e vetë, dhe që do të jetë interesant para të tjerëve ndërkohë të vetët më nuk mund t’a honepsin si të tillë, njëkohësisht karizmatik dhe mashtures, blerës i votes së lirë.
„Rama po ofendon ata që dhanë jetën për Kosovën. Raporti i tij me Vuçiç është njësoj si raporti i viktimës me dhunuesin”
–A shihni gabime strategjitke të kryeministrit shqiptar Edi Rama. P.sh një afrimitet me Vuçiç dhe thumbues me Kurtin kur duhet te ishte e kundërta?
Apsolutisht po, biles është ofendim tepër i madh i atyre që dhanë jetën për liri të Kosovës dhe atyre që lanë gjymtyrët në luftë që një kriminel si Vuçiq të përkdhelet nga kryeminstri shqiptar. Pa mos hy në histori mes serbëve dhe shqiptarëve, raporti i tij me Vuçiqin është i njëjtë si raportii viktimës me dhunuesin, kur i pari përsëri e dashuron të dytin.
Sa i mjerë m’u duk kryeministri shqiptar, kur pas takimit në Ohër për Ballkanin e hapur shkoi për t’u “rehabilituar” moralisht për vizitë tek familja Jashari. Kryeministri shqiptar dhe Shqipëria vetë duhet të jenë kreator të kirjimit të politikave të përbashkëta arsimore e kulturore, ekonomike, mes vetë shqiptarëve, pse të mos kemi plane të përbashkëta arsimore në histori, gjeografi, trashëgimi kultore, arte, etnologji, por Rama preokupohet që të vijnë më shumë turist serb në bregdetin shqiptar. Ai duhet të ndërtojë rrugën nga Përmeti tek shtëpia e të mëdhenjëve, Vëllezërve Frashëri, që çdo shqiptar i cili ballafqimin e parë në shkollë e ka me Naim Frashërin, të mundet të vizitojë shtëpinë e tyre Muze në fshatin Frashër, 34 klm nga Përmeti. I kujtoj Edi Ramës se ne shqiptarët nga Maqedonia lodhemi duke mësuar për një luftëtar lokal si Kiri Pejçinoviqi, e nuk mesojmë si duhet për shumë heronj tanë kombëtar që janë me qindra nga Skënderbeu, Çerçiz Topulli, Papa Kristo Negovani, Oso Kuka, e deri tek familja Adem Jashari. Integrimi arsmor, shkencor, kultuor, ekonomik, bujqësor edhe relievor duhet të na preokupojë neve shqiptarëve. Tek fundit shteti shqiptar e ka obligim kushtetues, jo vetëm në preambulë por edhe në dispozita normative të interesohet për shqiptarët që jetojnë jashtë kufujve shtetëror, e që nuk janë qindra por janë miliona.
„Rusia një aleate tradicionale e Serbisë“
-Si e shihni qëndrimin e Serbisë për të mos vendosur sanksione ndaj rusisë?
Rusia një aleate tradicionale e Serbisë dhe bashkëpunëtore e saj në krijimin e politikave sunduese sidomos ndaj popullit shqiptar në Ballkan, si dhe bashkëkreatore e konspiracionit ish jugosllav përmes të majtës shqiptare të veshur me petkun nacionalist (kujtomë këtu disa organizata me orientim lenist- marksist që çuditërisht vepronin në Perëndim),dhe ndërtimin elegant të mitit enverian me mision “statuskuonë” e shqiptarëve dhe mos bashkimin e tyre në një shtet të vetëm në Ballkan, duke eliminuar pothuajse tërisht rrënjët e së djathtës shqiptare, origjinalisht nacioanliste, pra githsesi Serbia nuk ka si të mos qëndroj edhe tani pro Rusisë.
„Perëndimi duhet të reagojë edhe më ashpër ndaj Rusisë“
–Në fakt lufta duket se nuk po sjell vetëm probleme pasigurie për jetën qoftë në zonën e luftimeve edhe në vendet ku varfëria po rritet ndjeshëm
Perëndimi mendoj se duhet të reagojë edhe më ashpër ndaj Rusisë, kjo pasi duket që Rusia mund të marrë terren edhe më shumë brenda Ukrainës, dhe kjo do të pasojë hapa të tjerë luftrak të Rusisë edhe në Gjerogji dhe Shtetet tjera në atë rajon. Kjo pasi nga reagimi i popujve dhe shteteve demokratike u pa se aksush më nuk e do luftën. Njerëzimi duke ngadhnjyer mbi vdekjen, shihni vetëm ragimin e Botës ndaj Virusit Korona, pra janë plane tjera për popullim të Botës dhe jetë të zhvilluar sociale e jo permes luftërave të zgjidhen problemet.
“Ikja e Johnson ishte rezultat i defaktorizimit politik tani që Britania e madhe është jashtë BE“
–Shihni një efekt domino të asaj që ndodhi në Britani me largimin e Boris Johnson?
Në kuptimin e asaj se liderët populist pas largimit Trump-it më nuk mund të dominojnë, kjo po mund të ketë, si në Hungari, Turqi pas mos përjashtuar edhe Shqipërinë ku po noton monizmi si fillim. Por unë mendoj se ikja e Johonsonit ishte si rezultat i “vetmisë angleze”, i defaktorzimit politik tani që janë jashtë BE-së, kjo u pa me tendencën e të qenurit protagonist në ndihmën ndaj Ukrainës. Masa konservatore duket që dëshiron një lider më pragmatik dhe racional që mund të ndërtojë kahe të reja politike dhe ekonomike, pas daljes nga BE.
-Ka përdorur sarkazmën Medvedev dhe Kremlini zyrtar kur kanë thënë se po ikin miqtë më të mirë të Rusisë dhe që pritet tani Gjermania, Polonia e të tjera vende.. Ka gisht Rusia në këtë efekt apo krizë politike lidershipi?
Këtu nuk duhet të harrojmë luftën hibride ruse, që të dirigjojë joklasikisht mënyrën e të bërit politikë, duke ndihmuar në krijmine liderve ekstrem djathist, si në Holandë, Gjermani, Itali e vende tjera, U pa po ashtu edhe ndihmën që i dhanë Trump-it në SHBA. Sigurisht që ishte pranim pothujase ironik si dorëzim në raport me demokracinë evropiane.
“Kriza në Malin e Zi. Abazoviq qëndron mbi “krahët” e Gjukanoviq.Parapolitika kriminale ndikim në Ballkan edhe kur Rama lavdëron Borisov “
–Situata në tëresi në Ballkan. Duket se do ketë edhe një rrëzim të qeverisë në Malin e Zi. Do ishte fatale ka thënë Dritan Abazoviq për të ardhmen e vendit në BE.
Abazoviq qëndron mbi “krahët” e Gjukanoviq, dhe ky i fundit do t;a përdor për aq sa i duhet Abazoviqin. Ai duket që ka një përkahje nga struktura vendimmarrëse në Serbi dhe Mal të Zi dhe ka mision për t’a mbyllur një çështje të ndjeshme si ajo me kishën serbe. Si luftëtar kundër korrupsionit, Abazoviq, e ka të vështirë të mbijetojë sepse këtë i’a diktojnë numrat e paktë në Parlament. Ai nëse vërtetë e ka serozisht kundër krimit dhe korrupsonit, ka gjasa të merret si modeli i fundit në Ballkan, por rasti i fundit i rënies së Qeverisë në Bullgari, ikja e Ciprasit në Greqi, dhe izolimi politik i Albin Kurtit në Kosovë, janë indikacione se parapolitka kriminale mafioze në Ballkan ende mban në duart frenat e vendimarrjes politike dhe Mali i Zi nuk bën asesi përjashtim. Kur them parapolitika kriminale kam parasysh shumë gjëra, mes tyre dhe lavdërimi që Edi Rama i bën Borisovit në Bullgari.
Fatos Rushiti, analist politik, Shkup
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*