Një rast tronditës i përdhunimit seksual ka ndodhur në fshatin Plemetin të Komunës së Obiliqit.
Një vajzë e mitur pasi ishte martuar kishte përjetuar dhunë seksuale nga vjehrri i saj, gjatë kohës që burri i saj nuk ishte në shtëpi. E rastin në polici e paraqiti nëna e viktimës, ndërsa përmes një komunikate nga policia thonë se tashmë është bërë ekzaminimi i vajzës.
Kishte shkuar nuse në moshë të mitur. Mirëpo, shtëpia e cila ia kishte hapur dyert nuses së re, u bë edhe vend përdhunimi për të.
Kjo pasi e mitura e cila i takon komuniteteve pakicë, ra pre e dhunimit nga dikush i familjes së re.
Burimet e RTV Dukagjinit thonë se dhunuesi është vjehrri i saj. Megjithatë ajo rastin nuk kishte guxuar ta raportojë në Polici.
Por, për këtë u përkujdes nëna e të miturës, e cila së bashku me vajzën i janë drejtuar stacionit të policisë në Obiliq për të raportuar përdhunimin.
“Viktima femër e mitur kosovare e shoqëruar nga nëna e saj ka raportuar se deri sa në shtëpi nuk ka qenë bashkëshorti i saj, e njëjta ishte dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Me urdhër të prokurorit kujdestar është bërë ekzaminimi i viktimës dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet nga policia.
Në Kosovë është rritur numri i raportimit të rasteve të përdhunimit seksual, mirëpo sipas analizave rreth aktgjykimeve për rastet e dhunimit seksual, shqetësuese mbeten dënimet e ulëta për kryerësit e këtyre veprave.