Kancelari gjerman Olaf Scholz përmes një letre drejtuar autoriteteve dhe qytetarëve të Shkupit ka bërë thirrje që të pranohet propozimi francez që i hap rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Ja letra e plotë:
“Vendi juaj është përballur edhe një herë me marrjen e një vendimi shumë të rëndësishëm: A doni të pranoni kompromisin evropian? Kështu, 17 vjet pas dhënies së statusit kandidat për anëtarësim në BE, më në fund mund të mbahet konferenca paraqasëse për anëtarësim. Do të jetë një hap i rëndësishëm që do t’ju sjellë më pranë anëtarësimit në BE dhe do të kapërceni ngërçin.
Unë e kuptoj padurimin dhe zhgënjimin tuaj. Dhe më shumë se kaq: i ndaj me ju!
Ju kuptoj kur thoni: Ishte shumë e gjatë dhe na u premtua shumë. Ajo që kërkohej prej nesh ishte e tepërt. Unë e kuptoj dyshimin tuaj nëse ky hap do të hapë vërtetë rrugën për hyrjen në BE.
Dua të jem plotësisht i sinqertë me ju: edhe pas pranimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë pengesa të tjera që do të duhet të kapërcehen. Por unë ju them gjithashtu: Së bashku do të zotërojmë detyrat që na presin.
Sepse ne duam që ju të jeni anëtar i këtij Bashkimi Evropian!
Të gjithë e dimë se kompromise ndonjëherë nënkuptojnë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Evropian përbëhet nga kompromise, dita-ditës. Por jam plotësisht i bindur se edhe kompromise të vështira në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë. Ne jemi dhe do të mbetemi në anën tuaj.”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman