Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur Sali Berishës, pasi ky i fundit tha mbrëmë se në 2005 vendosi që të amnistonte Fatos Nanon nga të gjitha akuzat, pasi vendosi të largohej përfundimisht nga politika. Bardhi thotë se modeli “kush e ka radhën” duke vazhduar amnistinë ka marrë peng Shqipërinë.
“Deklarata e Sali Berishës se erdhi në pushtet në 2005 me premtimim “zero kompromis ndaj korrupsionit”, por mori vendim politik për ti ikur premtimit dhe për të amnistuar korrupsionin e qeverisë së Fatos Nanos meqënëse ai i dorëzoi pushtetin, është thelbi i sistemit të kalbur politik që ka ndërtuar trekëndshi i korrupsionit në këto 30 vite.
Deklarata e sotme shpjegon atë të para pak ditëve se në 2013 Sali Berisha e dorëzoi vetë pushtetin, duke ndjekur kështu Sali Berisha modelin e Fatos Nanos dhe Edi Rama modelin e Sali Berishës. Tani po luftojnë për “kush e ka radhën”, duke vazhduar amnistinë dhe duke marrë peng Shqipërinë.
Korrupsioni dhe amnistia ndaj tij ka marrë peng Shqipërinë në këto 30 vite. Pa ndëshkuar korrupsionin 30 vjeçar nuk ka kurrë të ardhme për Shqipërinë. Ëndrra e demokratëve dhe shqiptarëve për “Shqipërinë si gjithë Europa” bëhet realitet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ndryshe jemi në vendnumëro dhe ndryshojnë vetëm emrat e të korruptuarve” shkruan ai.