Florian Shurdhi u arrestua sot nga policia në Fier. Ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi më parë ka qenë i dënuar për tentativë vrasje të efektivëve të policisë rrugore.
Në vitin 2008, lazaratsi u arrestua pasi sulmoi egërsisht efektivin e rrugores, pse i kërkoi që të largohej makina e parkuar paralelisht në bulevardin kryesor të qytetit të Gjirokastrës. Polici përfundoi në spital.
Me origjinë nga Kordhoca, familja Shurdhi është e njohur edhe për një tjetër ngjarje. Një vit përpara se të arrestohej Floriani, iu vra vëllai nga policia.
Në një operacion të organizuar më 7 shtator të vitit 2007 për kapjen e personave të kërkuar që kishin sulmuar më parë policinë, mbeti i vrarë Sabri Shurdhi.
Gjatë operacionit për arrestimin e tij, ky i fundit qëlloi me automatik në drejtim të forcave RENEA, duke plagosur një prej tyre. Sabri Shurdhi akuzohej për vjedhje me armë, si dhe ishte i dyshuar për një vrasje.
Vrasja e Shurdhit u pasua edhe me një protestë nga ana e banorëve të Lazaratit, ndërsa disa vite më pas në momentin që RENEA ndërhyri, segmente të caktuara ngritën dyshime se ekzekutimi i policit Ibrahim Basha mund të ishte një hakmarrje e organizuar nga burgu nga Floriani që i vranë vëllanë.