Histori prekëse/16-vjeçarja: Nuk kam tualet në shtëpi, enët i laj me ujë liqeni

E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Zamira Cangu, 16 vjeç, vjen nga fshati Verjan i Krujës. Zamira jeton vetëm me babain e saj. Nëna e cila ishte e sëmurë, ka ndërruar jetë përpara 4 vitesh, nga pamundësia financiare për të ndjekur problemet shëndetësore të saj.

Zamira është nxënëse në vitin e dytë gjimnaz dhe shkon çdo ditë në Fushë-Krujë për të ndjekur shkollën, edhe pse e ka larg dhe transporti kushton, por e ndihmon motra e saj e vetme e cila është e martuar në Krujë.

Babai i Zamirës, përpara disa kohësh, ka pësuar një aksident në punë dhe ka dëmtuar sytë. Shikimi i tij që nga ai moment është i pamjaftueshëm, ai mundet të dallojë vetëm nga shumë afër dhe vetëm njerëzit ose objektet e mëdha.

Ky është shkaku kryesor që ai nuk mundet të gjejë lehtësisht punë. Ndaj, ai nuk punon rregullisht, por vetëm kur e thërrasin një herë në dy javë ose një herë në muaj, dhe punon në të zezë.

Fakti që nuk është i siguruar në punët që bën, e pengon babain e Zamirës që të marrë Kempin që i takon. Të dy jetojnë me 50 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike.

Mirela Milori: Sa vjeç ishte kur humbe nënën?

Zamira: 12, vuante nga zemra dhe tensioni. Kishte mundësi të kurohej, por nga pamundësia jonë ekonomike, nuk mundi dot që t’i blinte të gjitha ilaçet dhe për të mos i harxhuar Lekët në ilaçe, ajo na blinte ushqim neve, sepse ne nuk kishim ushqim, nuk na sillte kush, edhe sot nuk na sjell kush, vazhdoj të jem akoma po në atë gjendje.

Në ekran gjatë emisionit janë shfaqur disa pamje nga shtëpia e Zamirës e cila është në gjendje të mjerueshme, nuk ka as kushtet minimale. Në shtëpi nuk ka një tualet dhe nuk ka ujë. Ajo tregon se rrobat dhe veten e lan me ujë liqeni dhe shpesh herë i krijohen dhe infeksione në trup.

Mirela Milori: Një nga këto ambientet është tualeti?

Zamira: Po aty laj enët, laj rrobat, nuk kam ujë, i laj të gjitha me ujë liqeni. Kemi një liqen që e marr aty ujin për t’u larë, për t’u shpëlarë. Shumë njerëz nxjerrin tubacionet e banjës dhe kam pasur infeksione, kam marrë ilaçe që mi ka paguar motra, por nuk i kam marrë të gjitha.

Mirela Milori: Brenda në shtëpi nuk mund të sajonit ndonjë ambient për tualet?

 ZamiraJo.

Zamira tregon se me ndihem ekonomike që merr paguan shkollën, por ato nuk i mjaftojnë dhe ndonjëherë e ndihmon e motra, madje ajo i ble dhe ilaçet e saj dhe të të atit.

Mirela Milori: Çfarë mjekimi merr ti?

Zamira: Unë marr mjekime të ndryshme për infeksionet që kam, për ankthin, për stresin.

Shtëpia ku jetojnë i përngjan një kasolleje. Xhaxhai i Zamirës ka shitur tokën e përbashkët dhe ju ka lënë një shtëpi me kushte shumë të  vështira. Fshati ku Zamira jeton është thuajse i braktisur. Në të ka vetëm pak familje, të cilat nuk ndodhen shumë pranë shtëpisë së Zamirës. /tvklan.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *