Pas çiftit të moshuarve, Rruzhdije dhe Shkëlqim Meta për Merita Hajdari situata sa vjen e bëhet më e rëndë pasi ata rezulton ‘pronare’ e disa prej 24 kompanive që kanë bërë evazion fiskal me aferën e inceneratorëve.
Vetë Hajdari i është drejtuar SPAK, pasi rezulton se i kanë falsifikuar firmën dhe të dhënat personale për t’i përdorur në skemën e inceneratorëve. E vërteta qëndron se ajo jeton në kushte të mjerueshme dhe është tepër e varfër për të mbajtur në supe miliona lekë.
Hajdari grumbullon kanoçe dhe mbetje të tjera të riciklueshme në koshat e mbeturinave të rrugëve të Tiranës. E moshuara në fjalë është paraqitur para dyerve të SPAK së bashku me djemtë e saj, pasi ka dëgjuar emrin në media. Ajo pohon se puna e saj e vetme është mbledhja e kanoçeve në rrugë e kosha dhe nuk ka lidhje çfarë rezulton në dokumente.
Priza.al sjell biseda e plotë të zonjës Hajdari në SPAK:
Kush je ti, për çfarë ke ardhur?
M. H e kam të shkrujtme në certifikatë, por …
Ëhëë…, pra ti na qenke “nona e inceneratorëve”!
Jo jo çuno, jam “nona e plenave”! Kshu më njofin krejt mëhalla.
Do ta shohim. Kush ta mbushi mendjen të vinit vetë këtu?
Askush bir i nonës, erdha me komët e mia. Se s’kam lek as për satë.
Domethënë erdhët spontanisht?
Me kom or ti çun, me kom.
Profesioni?
Mbledhëse kanoçesh me kohë të plotë, sa për një çap buk.
E ushtroni vetëm apo në bashkëpunim këtë veprimtari?
Simas rastit. Kaiher vetëm, kaiherë me shoqe.
Trego shoqet none, ne i dimë të gjitha
Nurija mbledh ke kazonet e verdhë, unë te ato jeshil, Hajrija te kazonët blu por kur vdiq Monda ka kap edhe këto të vegjlit ku gërmote ajo.
Pra keni bërë ndarje detyrash, e pranon bashkëpunimin?
Çfarë ndarje?! Merremi vesh vete er çun, secila ka kryt ke kazoni vet simas ngjyrës.
Hasim elementë të bashkëpunimit të strukturuar kriminal, me ndarje të qartë të roleve. Çfarë mund të na thoni tjetër për grupin tuaj?
Rolet s’i kena nda, i kena zgjedh vet’ me mirëkuptim. Kurse kët’ grupazhin maje për vete, se nuk jena grup anti-parti. Për PS dhe qeverinë kena votu gjithë jetën. Pyet dhe padronazhistin po deshe se i ka shkrujt gjitha.
Mos i dredhoni pyetjes, çfarë doni të thoni me kodin “kanoçe”?
Ça kod er çun, ia shesim krejt Zeqirit. I ka vdek’ gruja të shkretit.
Si ju paguan ky Zeqiri, në kesh?
Çfarë KESH-i, na i jep në dorë. Zeqiri as do me i njigju emrin KESH-it, se i kanë pre dritat se s’ka pagu korrentin që ka djeg.
Nga hetimet që po bën LSI, dhe nga verifikimet tona, na rezulton se bashkë me një shoqen tënde që ka dy vjet që ka vdekur keni hapur një firmë në QKB. Por shoqja jote e ka mbyllur firmën 3 muaj pasi ka vdekur. Përse e keni pezulluar aktivitetin? Ku i keni investuar paratë? Në dyqane apo në kulla? Do të ktheni paratë deri më një dhe do të sekuestrojmë të gjithë pronat.
Çfarë parash të kthej, unë atë që kam, thesin me kanoçe e kam lon aty jashtë! Kurse Monda er çun nuk mi la mu kazanët e veta, ja la Hajrijes me gërmu.
Mos dredhoni dhe mos luani rolin e të paditurës! Si i pastroni paratë e pista?
Atë llaf mbaje për vete. Me vërte’ janë pare që dalin nga kazonet e plehnave, por janë të pastra se jan’ të lame me djers.
Atëherë pse erdhe vetë me këmbët e tua këtu?
-Kadal’ e çun. Unë sot kam lon’ mbledhjen e kanoçeve se s’i duroj dot llafet, sidomos ato që bëhen në darkë në televizion. Nga llafet që kan’ dalë nuk kam ftyr’ të kthehem në pallat. Më shohin komshinjtë shtrembët. Ajo që kam përballë më pat kërku lekë për ilaçe, ai që është sipër bashkë me atë që jeton poshtë meje më kërkuan lekë se do të përcillnin fëmijët në Gjermani. Ajo e katit të parë çdo fund muaji kërkon lekë për të paguar faturat e dritave. Tani po del se unë kam miliona dhe jam kurnace. Biles mendojnë se me plehnat që hidhnin ata nga ballkoni unë kam mbush thasët me pare.
Mos na lodh kot se kemi edhe pesë plaka të tjera që presin jashtë. Do t’i gjejmë të gjithë lekët dhe të gjitha pronat. Do t’i nxjerrim fundin…sikur qeni qepën të hajë. Po ju vemë në dijeni se në llogarinë tuaj bankare janë derdhur miliona dollarë nga incineratoret. Si e shpjegoni?
Inxhinjeratoret nuk i njoh fare. Të vetmet banka që njoh janë bankat e shkollës. Sa për miliona s’kam aq as fije floku. Kurse dollarët, mbaji për vete se s’kam pa qysh ke dasma e çunit të Hasonit.
Na trego me kë i ndan paratë?
Nuk i ndaj, ja dorëzoj të gjitha plakut në shtëpi!
Mos i dredho pyetjes. Nga investigimi ynë rezulton se ju jeni perfituese e miliona dollarëve. Ne kemi fakte për këtë. Kemi 3 vjet që hetojmë intensivisht.
3 vjet?! Kisha ngju se qeveria kap lepurin me qerre, po qerren po përdorni edhe për këtë mesele që zgjidhet për tre minuta? Aman prokuror ma le mu vetëm një ditë këtë punë dhe t’i nxjerr unë me listë të gjithë….
Si do t’i nxjerrësh për një ditë? Çfarë je ti magjistare që lexon mendjet e njerëzve?
Kur kam qenë në punë dikur me atë regjimin e vjetër më kanë vjedh njëherë rrogën në shpi. Atëherë e merrninm rrogën me dy 15 ditësha. Thirra policinë, hiç. I gjeta vet’ re.
Si i gjete lekët vetë?
Lekët s’i gjeta se i kishin bo rrush e kumblla, por gjeta atë bandillin. Shkova, pas tri ditësh, te klubi lagjes dhe te ushqimorja dhe pyeta kush kishte ble gjona mo shumë ato ditë. Më thanë për një kalamo të lagjes që kishte ble pastra për vete dhe për shokët. I thashë policëve. E thirrën kalamonin dhe e gjetën që i kishte bo gjithë lekët pastra…
Po pse kaq kollaj e di këtë punën e incineratorëve. A e kupton se ka muaj që po heton LSI, tre muaj hetoi edhe komisioni hetimor parlamentar me gjithë ato deputetë, 3 vjet kemi ne që kemi dosjen… është krimi organizuar ky nuk është krim rruge. Nuk është punë pastrash, por pastrimi parash!
Unë them se për një dit’ e gjej. O zotnia Prokuror, shko mas pares re. Shif kush ka dhon’ lekë e kush ka mor. Kaq e thjesht osht. S’ke nevojë me pyet, se me bankë i kanë dhon’ e me bankë i kanë mor. ….
Prokurorit iu duk se ju rrit molla Adamit në grykë. Nxori jashtë zonjën e kanoçeve, por vetëm pasi e kërcënoi që të mos i tregonte askujt atë punën “kush dha e kush mori” se “është sekret shtetëror”.
Dhe një gjë të fundit ta kesh vëth në vesh: Megjithëse ju po hetoheni në grup, mos harro se përgjegjësia është individuale!
Fill pas kësaj, zonja uli kokën dhe u kujdes që mos e filmonin më kamerat e televizioneve të rreshtuara me kureshtje para saj. Ndërkohë, e vetmja gjë që mundën të dokumentojnë prokurorët qysh nga ai moment ishte fakti se shtetësja M.H u ul diku afër qendrës për të marrë një kanoçe të hedhur në rrugë nga kalimtarët. Mbase ky është një sinjal i mirë se hetimet intensive vijojnë!