Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë shpërthyer dje në sulme dhe akuza të forta në adresë të presidentit në ikje, Ilir Meta. Fillimisht ka qenë ministri Manja, i cili ka reaguar pas deklaratave të presidentit Meta, i cili hodhi akuza të forta në adresë të qeverisë sa i takon ligjit për Aminm9istën Fiskale dhe aferën e Inceneratorëve.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Manja shkruan se është ulëritës fakti që Ilir Meta ndot dynjanë me emra të cilët janë çuar e janë nxjerrë nga dosjet në prokurori. Sipas Manjës, diçka tjetër po ia prish gjumin Ilir Metës. “Ulëritëse është që Ilir Meta vazhdon ndot dynjanë, ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor! Po diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës, dhe nuk ka faj i shkreti”, shkruan ministri Manja.
Veliaj akuzon Metën se po saboton punët në Tiranë
Por në të njëjtën linjë dhe madje më i ashpër se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është shfaqur dje edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit duke folur ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, akuzoi Metën se po sillet si brigadier komunale dhe se sipas tij, Kreu në ikje i Shtetit po saboton projektet në Tiranë. “Siç e dini, kemi marrë një kredi nga Banka Europiane e Investimeve. Një kredi për të cilën plotfuqishmërinë nuk e morëm kurrë nga Ilir Meta, si sabotuesi kryesor i projekteve në Tiranë. Unë kam parë kryetar bashkie qe do të bëhet president, por president që do të bëhet kryetar bashkie, hera e parë që e dëgjoj. President që do të bëhet brigadier komunale është akoma më e rrallë. Ka bllokuar çdo projekt, përfshi edhe këtë”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku sulmon Sali Berishën
Më tej kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu përgjigj edhe akuzave të ish kryeministrit Berisha, i cili shpërndau dy ditë më parë një lajm të rreme, lidhur me aksidentimin e një punonjësi të mbledhjes së mbetjeve në Sukth te Durrësit. Prerë dhe qartë Veliaj deklaroi se rikthimi i Berishës dhe i Metës, rikthejnë helmin dhe përçarjen. “Rikthimi i Saliut dhe Ilir Metës rikthen helmin, toksinat, ndasitë, përçarjen, shpifjen, lajmet e rreme në politikë. Luli mirë, keq, ishte pak fytyrë më civile, kurse këta janë komplet të pacipë. Mjafton të shikoni çfarë postonte Saliu dje. U çua e gjithë Shqipëria ta sqaronte që Sukthi nuk është fare në Tiranë, por në Durrës. Edhe po të ishte në Tiranë, kryetari i Bashkisë nuk rri pas çdo kazani plehrash apo pas çdo makinë industriale teknologjike që mbledh plehrat. Nëse ndodh një aksident është shumë e rëndësishme të hetohet, policia të bëje punën e saj”, deklaroi Veliaj.
Veliaj komenton protestat në Sri Lanka
Po ashtu, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se dje Tirana ka një menaxhim shumë herë më të mirë të mbetjeve dhe ajër më të pastër, ndërsa ironizoi thirrjet e “Foltores” dhe LSI se qeveria në Shqipëri do të ketë të njëjtin fat si në Sri Lanka. Madje kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana është e fokusuar vetëm tek puna dhe jo tek gjobat. Me këto historitë ‘rrëzoi qeverinë në Sri Lanka’ e si këto budallaqe, janë komplet muhabete të viteve ‘90. Por nga tani, deri në zgjedhje, do të kemi vetëm gjoba nga këto portale si JOQ, Pamfleti. Po ashtu, Saliu me Ilir Metën do thonë se për çdo qeveri që rrëzohet e kemi fajin ne, çdo aksident e kemi fajin ne dhe nuk ka rëndësi fare, mund të jetë në Siri Lanka ose në Sukth, fajtorë jemi ne. Më mirë, që edhe populli ta dijë se me çfarë kemi të bëjmë, me çfarë race gjobaxhinjsh, si të politikës, si të portaleve. Na keni përballë, po me gjoba dhe me këto histeritë makabre, e vrau ky, e vrau ai, në vende që nuk janë as në Tiranë, janë muhabete që ne as nuk na emocionojnë, as nuk i kemi në “refene” fare, siç thonë tironsit”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës”, tha ai.
Kryebashkiaku: 3 shkolla do të rindërtohen
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak bëri me dije se cilat janë tre shkollat 9-vjeçare që do të rindërtohen, më të forta, më cilësore dhe më të bukura se ç’ishin. “Projekti i tretë ka të bëjë me shkollat 9-vjeçare. Bëhet fjalë për shembjen dhe rindërtimin e shkollës “Emin Duraku”, për ta bërë më të madhe, më të fortë, edhe më të bukur. S’po ndalem tani te ata histerikët, se janë të njëjtët që e çuan “Sami Frashërin” në Paskuqan. Po ju them, që kur të dëgjoni se do bëhet gradaçelë “Emin Duraku”, “Xhezmi Delli”, dhe “Musine Kokalari”, po ju sqaroj që bëhet fjalë për t’i bërë shkollat nga e para, siç bëmë “Sami Frashërin”, e cila na mori kohë prej kësaj burokracie. Kurse vendimi tek shkollen 9-vjeçare “Asim Vokshi”, bëhet vetëm për pjesën e palestrës, dhe dy hyrje-dalje para dhe mbrapa, vetëm ato do të rindërtohen nga e para. Kurse pjesa tjetër e shkollës “Asim Vokshi”, do të qëndrojë siç është”, sqaroi kryebashkiaku.
Veliaj: Së shpejti nis puna për terminalin verior në Tiranë
Gjithashtu, Veliaj njoftoi se do të ketë një shtesë buxheti për ndërtimin e terminalit verior në kryeqytet në zonën e Kthesës së Kamzës. “Kemi një shtesë buxheti për projektin e ndërtimit te terminalit verior. Më në fund, i kemi fituar edhe gjyqet, edhe shpronësimet, edhe gjithë ngërçet e tjera që kemi patur te Kthesa e Kamzës. Po mbaron terminali juglindor, që është ngjitur me TEG-un. Tani duam të fillojmë edhe veriorin, dhe praktikisht të dyja hyrjet e Tiranës i kemi stabilizuar me dy terminale autobusësh. Pastaj lëvizja në qytet është vetëm me urban edhe me interurban, dhe nuk vjen çdo autobus te shkarkohet në pika të ndryshme të qytetit”, nënvizoi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj./gazetasot