Veturat me targa RKS (Republika e Kosovës) në Mitrovicë të Veriut gjatë natës janë të mbuluara me letra ngjitëse me KM (Mitrovica e Kosovës), kurse stema e Kosovës është mbuluar me atë të Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët policorë kanë dalë në terren pas ankesës së një qytetari dhe kanë kryer hetime. Sipas tij, tani pritet vendimi i prokurorit për të përcaktuar nëse ka elemente për të iniciuar një rast.
Hoti tha se bëhet fjalë për një numër më të vogël të veturave, por se nuk e di numrin e saktë, pasi me gjasë, shumica, siç tha ai, as nuk kanë raportuar rastet tek autoritetet, por vetëm i kanë hequr letrat ngjitëse të vendosura në targat e veturave të tyre.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga 1 gushti të mundësojë riregjistrimin e veturave që përdorin targa me qytetet e Kosovës, të cilat janë të regjistruar në Serbi, dhe kanë targa të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës), UR (Ferizaj) etj. Afati për riregjistrim do të zgjasë deri më 30 shtator.
Veturat me targa të tilla qarkullojnë vetëm në veri të Kosovës dhe besohet se janë rreth 10,000 vetura me targa KM.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, riregjistrimi me targat RKS do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti.