Katerina Tikhonova, e bija e dytë e presidentit rus Vladimir Putin, ka marrë një rol të rëndësishëm me synimin për të ndihmuar ekonominë e vendit të saj të përballojë sanksionet e Perëndimit për shkak të agresionit në Ukrainë, shkruan “Euronews” të enjten.
35-vjeçarja u emërua drejtuese e një bordi të rëndësishëm që do të fokusohet në uljen e varësisë së Rusisë ndaj mallrave perëndimore.
Prej kohësh, ka pasur zëra që vajza e Putinit do t’i futej politikës si pasojë e përkeqësimit të shëndetit të babait të saj.
Paralelisht ka pasur spekulime se ajo do të futet në parlamentin rus si dhe do të marrë një post të rëndësishëm në partinë që udhëheq babai i saj, “Rusia e Bashkuar”.
Këto aludime që përfshijnë zëra që thonë se Tikhonova mund të bëhet kryetarja e re e partisë “Rusia e Bashkuar”, janë përhapur së fundmi nga kanali rus “General SVR”, që pretendon se Putini po vuan nga një sëmundje e rëndë dhe përfshirja e vajzës së tij në politikë mund t’ia japë mundësinë të avancojë trajektoren e tij politike në rast se shëndeti i tij përkeqësohet papritmas.
Për momentin ajo do të fokusohet në drejtimin e Unionit Rus të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve (RSPP), që përfaqëson biznese të mëdha shtetërore dhe private në Rusi.
Motra e saj e madhe Maria Vonostova, është aktualisht e punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë ruse si studiuese e lartë në Qendrën Kombëtare të Endokrinologjisë.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga atëherë, Perëndimi i ka vënë një mori sanksionesh Rusisë.