Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj kanë mbajtur një konferencë për mediat lidhur me amnistinë fiskale.
Ahmetaj tha se amnistia do të mundësojë paratë e padeklaruara të ligjësohen, ku shtoi se gjithçka do të bëhet për të mundësuar një treg të qëndrueshëm.
“Dua ta sqaroj për partnerët ndërkombëtarë apo ekspertët e qytetarët, amnistia penale nuk do të thotë që dikush që ka qenë i dënuar për vepra penale amnistohet dhe deklaron, por te kategoritë e përjashtuara do ta kuptoni qartë. Qëllimi i amnistisë mundëson ligjësimin pasurive të padeklaruara, sigurisht ofron e sekretit ndaj subjekteve përfituese. Qeveria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në kuadër të luftës kundër korrupsionit, pastrim parash, mbi të gjitha në kuadër kundër informalitetit.
Kemi bërë investime në infrastrukturën dixhitale. Jemi në kushte që kemi krijuar premisa për të pasur një amnisti të tillë. Projektligji do të vijë me një fushatë komunikimi ku individëve do u bëhet e ditur strukturat që në të ardhmen do të gjurmojnë çdo aktivitet të paligjshëm. Projektligj shumë i rëndësishëm që do krijojë transparencë dhe kushte për një ekonomi tregu të qëndrueshëm”, tha ai.