15 vite burg për rebelin e Kapitolit

Prokurorët federalë po kërkojnë një dënim me 15 vjet burg për një banorë të Teksasit, i cili u dënua për sulmin në Kapitol, duke e quajtur atë anëtar të grupit të milicisë që mori një rol qendror në sulmin e turmës pro-Trumpit.

Nëse gjykatësi pranon rekomandimin e Departamentit të Drejtësisë, dënimi me burg i Guy Wesley Reffitt-it do të ishte gati tre herë më i gjatë se cilido nga më shumë se 200 të pandehurit e tjerë që janë dënuar për krime në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në kryeqytetin e vendit.

Dënimi më i gjatë deri më tani është pesë vjet e tre muaj për Robert Palmer, një banor nga Florida që u shpall fajtor për sulmin ndaj oficerëve të policisë në Kapitol.

Gjykatësi Dabney Friedrich është planifikuar të shpall dënimin për Guy Wesley Reffitt-in më 1 gusht. Gjyqtari nuk është i detyruar të ndjek asnjë nga rekomandimet ose udhëzimet e dënimit të llogaritur nga departamenti, të cilat variojnë nga nëntë vjet deri në 11 vjet dhe tre muaj.

Avokati mbrojtës Clinton Broden, i cili kërkon që Guy Wesley Reffitt të dënohet me jo më shumë se dy vjet burg, tha se ishte i tronditur nga rekomandimi i prokurorëve. Ai vuri në dukje se klienti i tij nuk u akuzua për hyrjen në Kapitol ose për sulmin e ndonjë oficeri policie atë ditë.

“Është absolutisht absurde”, tha ai gjatë një interviste telefonike të premten. “Unë sigurisht që nuk e fal atë që bëri zoti Reffitt. Dhe mendoj se të gjithë e kuptojnë seriozitetin e shkeljeve. Por në të njëjtën pikë, këtu duhet të ketë njëfarë proporcionaliteti”.

Prokurorët argumentojnë se në rastin e zotit Reffitt garantohet një “arsyetim për terrorizëm”, i cili do të çonte në një dënim shumë më të gjatë nëse gjyqtari pranon ta zbatojë atë. Ata thonë se provat e gjyqit treguan se i pandehuri Reffitt planifikoi për javë të tëra përpara janarit të udhëtonte në Uashington, DC, “me qëllimin specifik për të sulmuar Kapitolin dhe për të marrë kontrollin e Kongresit”.

Guy Wesley Reffitt u dënua nga një juri në mars për të pesë pikat në aktakuzën e tij. Anëtarët e jurisë e shpallën atë fajtor për pengimin e seancës së përbashkët të Kongresit për të certifikuar votën e Kolegjit Zgjedhor, për ndërhyrjen në punën e oficerëve të policisë që ruanin Kapitolin dhe për kërcënimin e dy fëmijëve të tij adoleshentë nëse e raportonin atë te organet e zbatimit të ligjit.

Prokurorët thonë se Reffitt ishte një udhëheqës i një grupi milicësh të Teksasit. Ai u tha anëtarëve të tjerë të grupit të milicisë se kishte në plan të tërhiqte kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nga godina e Kapitolit prej kyçit të këmbëve, thanë prokurorët.

Reffitt, një banor i qytetit Wylie në Teksas, nuk dëshmoi në gjyqin e tij.

Sipas prokurorëve, Guy Wesley Reffitt ishte i armatosur me një pistoletë Smith & Wesson në një këllëf në brez, mbante pranga me zinxhir dhe ishte veshur me një helmetë të pajisur me një videokamerë, sipas prokurorëve. Ai u tërhoq pasi një oficer e spërkati atë me piper në fytyrë, pornxiti protestuesit e tjerë që në fund depërtuan ndërtesën, thanë prokurorët.

Djali 19-vjeçar i Guy Wesley Reffitt, Jackson, dëshmoi se babai i tij e kërcënoi atë dhe motrën e tij, atëherë 16 vjeçe, pasi ai u kthye me makinë në shtëpi nga Uashingtoni. Reffitt u tha fëmijëve të tij se do të ishin tradhtarë nëse do ta raportonin tek autoritetet dhe u tha se “tradhtarët pushkatohen”, kujton Jackson Reffitt.

Më shumë se 840 persona janë akuzuar për krime federale në lidhje me trazirat. Mbi 330 prej tyre kanë pranuar fajësinë, dhe mbi 200 prej tyre janë dënuar./VOA/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *