“Defender Europe 21”, Shqipëria pret trupat e Ushtrisë Amerikane. Bëhen bashkë Rama dhe Meta

Stërvitja më e madhe ushtarake e 30 viteve të fundit në vendin tonë, ‘Defender Europe 21’, nis zyrtarisht sot në qytetin e Durrësit. Për herë të parë pas shumë kohësh, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta janë bërë bashkë në një vend. Në ceremoninë pritëse në Portin e Durrësit kanë marrë pjesë personalitete të larta ushtarake nga e gjithë bota dhe NATO. Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe ambasadorja Yuri Kim u ulën në rreshtat e parë, për t’ju uruar mikpritjen ushtarëve të huaj.

“Defender-Europe” këtë vit përfshin rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 kombe për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në 12 shtete nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkani.

Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj, në fjalën e tij tha se kjo stërvitje dhe përzgjedhja e Shqipërisë vë në dukje rëndësinë e pozicionit tonë strategjik në një rajon të brishtë, por edhe vlerësimin e rolit të vendit tonë. Ai u shpreh se “Defender” është një stërvitje sfiduese, dhe se ka nderin të mirëpresë mbi 1 mijë trupa.

“I uroj mirëseardhjen gjithë personelit amerikan këtu dhe i siguroj që mikpritja shqiptare nuk do t’i zhgënjejë. Shtëpia e shqiptarëve është e Zotit dhe e mikut. Së bashku jemi të gatshëm të përballemi me çdo vështirësi. “Defender” është një stërvitje sfiduese. Kam nderin të pres 1 mijë trupa. Të dashur miq, ky angazhim është shprehje e besimit të SHBA-së dhe NATO-s. Shqipëria ka treguar se kjo ka rëndësi, godet më fort se pesha e saj. Këto fjalë të thëna nga James Matin tingëllojnë dhe sot sa të vërteta dhe aq reale. Për ne si shqiptarë, Shqipëria është e Zotit dhe e mikut”.

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *