Avioni ukrainas i mallrave, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç.
Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviç konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.
Stefanoviç tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera.
Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.
Stefanoviç i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”.