Avioni u rrëzua të shtunën, rreth orës 22:45 në Kavalla Greqi, me pasojë vdekjen e 8 personave të ekuipazhit që ndodheshin në bord.
Avioni me katër motorë ishte nisur nga Serbia për Jordani me municione, ndërkohë autoritetet greke janë vënë në gatishmëri për kontrollin e rrezikshmërisë që paraqet zona për banorët, pasi ekziston mundësia për shpërthime të reja të municioneve, raporton protothema.gr.
Avioni fatal i mallrave, i cili ishte ukrainas dhe i përkiste kompanisë Meridian, ishte nisur pasditen e djeshme nga qyteti i Nishit të Serbisë, me destinacion Jordaninë. Gjatë fluturimit, megjithatë, ai pësoi një dëm teknik në FIR të Athinës dhe sipas komandantit të AAC-së Georgios Dritsakos , piloti donte të bënte një ulje emergjente, por nuk ia doli.
Konkretisht, në komunikimin e tij me Kullën e Kontrollit, piloti bëri me dije se po përballej me një problem , si dhe se zjarri në motorin e avionit po krijonte probleme të tjera dhe deklaroi se do të tentonte të ulej në Kavallë.
Gjithashtu, informacionet tregojnë se avioni ka humbur motorin e katërt në ajër dhe ka marrë flake.
Sipas dëshmitarëve, avioni është përplasur në një fushë me misër dhe për mrekulli nuk ka persona të lënduar nga ana e banorëve të zonës.
Informacionet nga mediat greke flasin për një ngarkesë municionesh në avion, ndërsa në bord ndodheshin vetëm 8 anëtarët e ekuipazhit. Zjarrfikësit nxitojnë në vendngjarje pasi ngarkesa prej 12 tonësh e fluturimit komercial, e cilësuar si lëndë e rrezikshme mund të shpërthejë.