Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj prej 7 orësh është duke dhënë llogari para oficerëve të SPAK në cilësinë e deklaruesit në lidhje me koncesionin e sterilizimit, për t cilin organi i akuzës po heton për shkeljen e pabarazive në tendera.
Gazetarja Klodiana Lala deklaroi se Beqaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i vetëm dhe pa avokat.
Lala tha se ish-ministri po jep llogari se pse ishte e nevojshme dhënia e këtij koncesioni, rrethanat dhe pse u fry fatura nga 12 milionë euro në vit që ishte parashikuar në 17 milionë euro, gati 40% më shumë se sa ishte parashikuar në buxhetin e shtetit. Dëshmia e Beqajt duket se pritet të zgjasë ende.
Më herët në lidhje me këtë koncesion është pyetur për 2 herë radhazi ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj si dhe anëtarët e komisionit të koncesionit të sterilizimit. Disa janë pikat kyçe që po vijon në SPAK prej 3 vitesh.
“Së pari ka të bëjë me mënyrën se si është përzgjedhur dhe shpallur fituese kompania koncesionare Sani Service shpk, e cila ka marrë koncesionin me vlerë 100 mln euro për 10 vite. Së dyti, se cilat ishin arsyet dhe rrethanat që detyruan qeverinë shqiptarë dhe ministrinë e Shëndetësisë ta jepte këtë shërbim, pra sterilizimin e seteve kirurgjikale me koncesion dhe se si u fry fatura për pagesën në llogari të kompanisë koncesionare. Nga 12 mln euro që ishte në vitin e parë, kjo pagesë ka shkuar në 17 mln euro. Gjithashtu z. Beqja do të pyetet edhe për mënyrën se si u kalua qendra e sterilizimit e ndërtuar me kredi të Bankës së Këshillit të Europës pranë Qendrës Spitalore Universitare dhe më pas kjo qendër nuk u vu në funksion nga ana e shtetit, por iu dha në përdorim privatit. Z. Beqja është duke u pyetur se sa kushtonte ky shërbim kur jepej nga shtetërori dhe sa kushton tani që jepet nga privati. Gjithashtu një tjetër interes i hetuesve të BKH-së lidhet pikërisht me faktin se Beqja rezulton me njohje dhe lidhje miqësore me pronarin e kompanisë Sani Service, kompani që ka fituar koncesionin. Dyshohet se Ilir Beqja dhe Ilir Rrapaj janë miq dhe ndaj dyshohet nga prokuroria e Posaçme se kjo kompani është favorizuar për fitimin e këtij koncesioni.
Gjithashtu është duke u hetuar edhe një pistë tjetër që ka të bëjë me dyshimet e pastrimit të parave, por me gjasë kjo akuzë do iu atribuohet nëse do ketë vendime konkrete nga ana e SPAK të gjithë personave që janë të përfshirë në çështjet e biznesit”, raportoi Lala.