Një skicë origjinale e piktorit të famshëm Pikaso, është tentuar të kalojnë në mënyrë klandestine për në Spanjë.
Oficerët doganorë zbuluan një skicë të Pikasos me vlerë 400 mijë paund, e cila po tentohej të futej në Spanjë nga një pasagjer i një linjeje ajrore.
Skica e quajtur “Trois personnages”, ishte futur në një valixhen e një burri që mbërriti në Ibiza me një fluturim nga Zvicra më 5 korrik.
Në përpjekje për të fshehur faktin që po përpiqej të transportonte një skicë origjinale, pasagjeri u tregoi oficerëve një faturë të shkruar me dorë prej 1500 frangash zvicerane (1300 paund), të cilën ai tha se e kishte paguar për skicën, për të cilën pretendoi se ishte një kopje e origjinalit.
Zyra doganore e Spanjës, ka bërë me dije se në fund të valixhes është gjetur një faturë tjetër, e cila dyshohet të jetë edhe origjinalja, e cila vërtetonte blerjen e skicës nga një galeri arti në Zvicër, për një shumë prej 450 mijë frangash.
Një analizë paraprake nga ekspertët e artit sugjeron se skica e konfiskuar është pjesa origjinale e krijuar nga piktori spanjoll në vitin 1966, megjithëse do të duhet të bëhet një vlerësim “më shterues” mbi origjinalitetin e saj.
Autoritetet në Ibiza thanë se pasagjeri është marrë në pyetje pas informacionit të marrë nga homologët e tyre zviceranë se ai po transportonte një vepër arti në kushte “të dyshimta”.
Kushdo që importon vepra arti me vlerë më të madhe se 125,000 paund jashtë Bashkimit Evropian duhet të paguajë detyrimet përkatëse të importit dhe TVSH-në.
Në vitin 2020, bankieri miliarder dhe koleksionisti i arteve Jaime Botin u gjobit me 52 milionë euro për tentativën për të vjedhur veprën e Pikasos, “Koka e një gruaje të re” nga Spanja në Zvicër.
Piktura, e vlerësuar në atë kohë me 26 milionë euro, u konfiskua dhe tani është e ekspozuar në muzeun Reina Sofia në Madrid.