Të bërë bashkë për të pritur nisjen e stërvitjes ushtarake të forcave të NATO-s, “Defender Europe 21”, anëtarët e maxhorancës socialiste së bashku me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, kanë përfituar për të bërë një shëtitje në det me një prej luftanijeve të Flotës Ushtarake.
Fotot e shpërndara nga faqja zyrtare e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, tregojnë se disa nga ministrat e qeverisë si Xhaçka, Peleshi, Balluku, bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, që kanë bërë një udhëtim të shkurtër me një anije ushtarake për të parë nga afër platformën lundruese të ngritur pranë Durrësit nga Marina Amerikane.
Në fotot e mëposhtme shihet mungesa e kreut të Shtetit, Presidentit Ilir Meta, i cili edhe pse ishte i pranishëm në Portin e Durrësit sot paradite gjatë çeljes së ceremonisë zyrtare të stërvitjes ushtarake, me sa duket e ka braktisur grupin e maxhorancës.
“Si pjesë e Ceremonisë së Hapjes #DefenderEurope 21 dhe Ditës së Vizitorëve të Shquar në Portin e Durrësit, Gjeneralët e Shteteve të Bashkuara Tod Wolters, Jeffrey Harrigian dhe Christopher Cavoli, Ambasadorja Yuri Kim dhe personalitete të tjera dolën në det me anijet e Rojes Bregdetare Shqiptare për të parë shkarkimin e automjeteve si pjesë e Operacionit të Përbashkët Logjistik nga anija në breg. Ky operacion, i cili lejon ushtrinë të zhvendosë strategjikisht forcat në breg kur anijet nuk janë në gjendje të hyjnë në porte, po provohet për herë të parë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore”,- thuhej në mesazhin në Fb të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Vendi ynë nisi këtë të martë stërvitjen më të madhe ushtarake, e cila synon përgatitjen e forcave tona ushtarake për pozicione mbrojtjeje.
“Defender Europe 21”, që si bazë kryesore ka portin e Durrësit, do të përfshijë stërvitjen e mbi 28 mijë trupave ushtarake, duke nisur që nga deti Baltik, e deri në Ballkanin Perëndimor. Vendi ynë do të përfaqësohet nga 1000 trupa ushtarak.
Krahas presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, si përfaqësuese e vendit që do të drejtojë këtë stërvitje shumëkombëshe.
/Priza.al/