Çfarë do ndodh sot me krizën më të rëndë që po kalon Italia

Në Itali po zhvillohet sot debati në fudn të të cilit do mësohet nëse Mario Draghi do të mbesë në pushtet.

Për dallim nga shumë kriza të kaluara politike në Itali, në të cilat qytetarët janë dorëzuar, këtë herë shumë italianë janë duke i kërkuar Draghit që të vazhdojë punën. Nëse Draghi nuk do të mund të ringjallë koalicionin, zgjedhjet e parakohshme mund të pasojnë.

Draghi ka ofruar dorëheqjen javën e kaluar, pasi partia partnere e koalicionit Lëvizja Pesë Yjet, ka bojkotuar një votim të rëndësishëm në Senat. Mirëpo presidenti italian nuk e ka pranuar dorëheqjen e Draghit, të paktën deri më tani.

Draghi nuk është politikan, dhe përgjatë 17 muajve në zyrën e kryeministrit në krye të një qeverie të pazakonshme të “unitetit kombëtar”, ai ka fituar statusin e një lideri në Evropën Perëndimore për mbështetjen e tij për Ukrainën dhe përpjekjet e shumta për të kryer reforma ekonomike.

Ai udhëheq koalicionin më  të pazakonshëm pasi aty përfshihen edhe parti që grinden mes veti: të djathtët, qendra, të majtët, si dhe Lëvizjen Pesë Yjet, që e ka lënë vetëm në votën e 14 korrikut. Kjo krizë vjen në një kohë kyçe – për Italinë dhe Evropën. Inflacioni i lartë dhe çmimet e larta të energjisë janë duke ndëshkuar konsumatorët dhe industrinë. Draghi e ka pozicionuar veten si një prej mbështetësve të mëdhenj të ndihmës së Evropës për Ukrainën, pasi kjo e fundit përballet me luftën e nisur nga Rusia.

Pas vështirësive politike për liderin britanik Boris Johnson dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe mungesës së vërejtur të lideres gjermane, Angela Merkel në gjithë kontinentin, Draghi është shpërfaqur si zë i besueshëm dhe autoritativ në Evropë. Dita e sotme është ditë tejet e rëndësishme. Mattarela ka ftuar Draghin që të dalë para parlamentit dhe të sqarojë pse dëshiron që të japë dorëheqje. Ligjvënësit më pas bëjnë të ditura qëndrimet e tyre në debat. Teksa partitë tjera të koalicionit pritet t’i kërkojnë Draghit të qëndrojë në detyrë, Lëvizja Pesë Yjet, e dëmtuar nga largimet partiake, pritet të jetë me qëndrim të lëkundur. Vetë Draghi ka thënë se nuk do të qeverisë pa popullistët e tij në koalicion.

Qeveria e Draghit nuk ka synuar votëbesim. Mirëpo ligjvënësit nga partitë në koalicion mund të propozojnë mocione të tilla për të garantuar disiplinë. Nëse dështon diçka e tillë, largimi i Draghit bëhet gati se i pashmangshëm. Qindra qytetarë dhe liderë politikë kanë mbajtur të hënën marshe pro-Draghit në Romë, Milano dhe qytete tjera.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *