Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për anashkalim të opozitës përsa i përket proceseve të integrimit. Në një deklaratë për mediat, selia blu thekson se ndryshe nga politika përjashtuese e Ramës, opozita socialiste ka qenë në të gjitha takimet me rëndësi kombëtare jashtë në krah të delegacioneve të qeverisë Berisha.
Duke publikuar fotot, opozita dha dy shembujt e pakontestueshëm dhe publike janë nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe anëtarësimi në NATO ku qeveria drejtohej në atë kohë nga kryeministri Sali Berisha.
Deklarata e Sekretares për Organizatat Partnere, Megi Balliu:
Që nga Konferenca e Londrës, në vitin 1913, dhe Konferenca e Paqes së Parisit, më 1919, shqiptarët kanë shkuar së bashku aty ku është folur dhe vendosur për fatin e përbashkët.
Pavarësisht krahinave, feve dhe ideve, krerët e këtij vendi kanë shkuar krah për krah, qoftë edhe për sytë e botës.Kjo traditë shembullore e unitetit dhe tolerancës u zhbë nga Enver Hoxha në vitin 1944. U kthye, pas katër dekadash kur komunizmi theu qafën.
Në 30 vitet pas komuniste Partia Demokratike mund të krenohet, me të drejtë, me rekordin e saj të unitetit dhe përfaqësimit. Tri fetë kryesore të shqiptarit, përfaqësoheshin në trekëndëshin Parlament – Qeveri – Presidencë. Përkatësitë krahinore respektoheshin gjithashtu.
Opozita socialiste ka qenë në të gjitha takimet me rëndësi kombëtare jashtë në krah të delegacioneve të qeverisë Berisha.Dy shembuj të pakontestueshëm dhe publike janë nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe anëtarësimi në NATO.
Në delegacionet e kryeministrit Berisha ka patur përfaqësues të opozitës në të dy rastet, siç do ta shihni në fotot që po u tregoj këtu. Edi Rama duke anashkaluar opozitën, duke shpërfillur unitetin dhe përfaqësimin në një moment me valencë kombëtare, e ktheu Shqipërinë në kohën e komunizmit.
Ky është Edi Rama. Ne nuk kemi nevojë të lodhemi për ta shpjeguar, sepse ai nuk lodhet së qeni i ngjashëm me modelin e tij shpirtëror.
Partia Demokratike ndjen detyrimin publik të përballë qeverinë aktuale me forcën e fakteve dhe modelet më të mira kombëtare. Sigurisht, ne krenohemi që jemi pjesë e një modeli që ka parë dhe sheh nga uniteti kombëtar dhe përfaqësimi.