Një 35-vjeçar ra në prangat e Policisë së Tiranës, pasi akuzohet për 12 vjedhje në total të disa bizneseve. I riu me iniciale është vërtetuar nga policia si autori i të paktën 7 vjedhjeve rë kryera në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.
35-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”, dhe ëhstë një person i dënuar më parë për vjedhje.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Break”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3.
Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i vjedhjes me thyerje të një aparati celular dhe të një shume parash, në një dyqan.
Zbardhen dhe dokumentohen edhe 7 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, për deklaratë të rreme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Break”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
– K. M.,
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se më datë 19.07.2022, pasi ka thyer xhamin e një dyqani në rrugën “Eshref Frashëri”, ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash.
Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se shtetasi K. M., gjatë 2 javëve të fundit, kryesisht gjatë natës, ka vjedhur me thyerje, në disa subjekte të ndryshme.
Pas hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se ky shtetas është autor i 7 ngjarjeve, konkretisht:
*Më datë 07.07.2022, në bulevardin “Bajram Curri”, dyshohet se ka vjedhur me thyerje në një biznes;
*Më datë 08.07.2022, në rrugën “Ibrahim Rugova”, dyshohet se, në një subjekt, ka vjedhur një aparat celular në pronësi të shtetasit B. H.;
*Më datë 13.07.2022, në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet se, në një dyqan syzesh, ka vjedhur me thyerje disa palë syze;
*Më datë 14.07.2022, në rrugën “Vaso Pasha”, dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur një shumë parash;
*Po me datë 14.07.2022, dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur disa veshje;
*Më datë 15.07.2022, në “Don Bosko”, dyshohet se, në një biznes, pasi ka thyer xhamin, ka vjedhur një shumë parash;
*Më datë 17.07.2022, në rrugën “Muzakët”, dyshohet se, pasi ka thyer xhamin, ka tentuar të vjedhë në një biznes.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Deklarate e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, shtetasit A. C., 33 vjeç, banues në Durrës dhe E. K., 21 vjeçe, banuese në Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.