Policia italiane e Leçes ka arrestuar një 49-vjeçar shqiptar me akuzën për propagandë në favor të terrorizmit islamik. Në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet A.H., 49 vjeç, shqiptar, banues në Galatinë, ndaj të cilit është caktuar masa e arrestit shtëpiak, pas kërkesës së Prokurorisë Publike Leçe.
Shqiptari është dënuar nga gjykata me arrest shtëpie pasi policia konstatoi se ai vazhdimisht bënte propagandë për terroristët e ISIS në rrjetet sociale. Gjykata konstatoi se përmes këtyre publikimeve, shqiptari nxiste për krime të ndryshme mbi baza fetare.
Sipas aktiviteteve teknike të kryera, shqiptari rezident në Salento kishte krijuar një neveri të thellë ndaj ligjeve italiane dhe stilit të jetesës perëndimore, duke u angazhuar të shpërndante përmbajtje të shumta propagandistike xhihadiste në web, përfshirë fotot që e portretizonin atë me banderolën e ISIS. Jo vetëm. Në të njëjtën kohë, ai do të kishte mbajtur marrëdhënie me elementë të rëndësishëm të terrorizmit ndërkombëtar që tashmë janë shfaqur në hetimet sektoriale të kryera jashtë vendit.