Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Kemi shuar 24 vatra, ja qarqet më problematike

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend.

Përmes një postimin në rrjete sociale, ministria bën me dije se gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banuara dhe zona të mbrojtura.

Sakaq qarqet më problematike rezultojnë të jetë Shkodra, Vlora dhe Lezha.

Njoftimi i plotë:

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile,  gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banura dhe zona të mbrojtura.

Janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Por angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bëri të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord.

Gjithashtu janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të Bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll. Gjatë këtyre 24 orëve qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.

Mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë. Aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës. Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror.

Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe normalizim e saj në të gjithë vendin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur edhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve. Të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të raportojnë në kohë vatrat, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *