Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë seancës së 21 korrikut bëri të ditur se kostoja totale për realizmin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë mbi 1.9 milion euro.
Për këtë projekt, ministri Aliu tha se nga buxheti i Kosovës do të ndahen 980 mijë euro, ndërkaq nga buxheti i Shqipërisë do të ndahen 1 milion euro.
“Aktualisht, jemi në një fazë që mund të realizojmë projektin dhe të hapim mundësinë e krijimit të kësaj linje, e cila pastaj mund të shoqërohet me shumë projekte tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor, e që Prishtina do të ishte qendër e kryesore e shpërndarjes së këtyre mallrave”, tha Aliu.
Realizmi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë do të mundësonte nisjen e projektit tjetër, që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë.
Projekti që mund të përafrojë ekonomikisht Kosovën e Shqipërinë
Ky projekt ishte prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila është mbajtur më 20 qershor në Prishtinë.Sipas prezantimit të bërë nga Eric Smit, drejtor i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, e cila e ka bërë projektin, Porti i Thatë në Prishtinë do të shfrytëzohej për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit. Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në bruto prodhimin e brendshëm të Shqipërisë, nga 3 për qind deri në 6 për qind, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë.