Ilir Meta tre ditë nga largimi i postiti të Presidentit, i ka dërguar një letër zyrtare Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Në letrën e tij Kreu i Shtetit nënvizon se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara zhvillimit të bisedimeve, duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për këtë çështje, që parashikohet në Aneksin 2, bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe është pjesë integrale e tij, si dhe të pajisë Grupin Negociator me dokumentacionin e plotësuar”.
Presidenti gjithashtu u kërkon “Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr.15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese”.
Meta thekson se negociatat duhet të realizohen duke ndjekur me përpikëri aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrin e brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.
Ai gjithashtu shpreh rezerva për vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministrisë së Jashtme për këtë çështje.
“Në institucionin e Presidentit të Republikës, ndodhet një praktikë e gjerë dhe e thelluar (tekniko-juridike) dhe një komunikim shkresor disa vjeçar midis Presidentit të Republikës – Kryeministrit – Ministrit të Punëve të Jashtme- Kuvendit, si dhe institucioneve të tjera, pikërisht mbi këtë çështje, ku disa prej këtyre komunikimeve janë të nivelit “sekret shtetëror”, pikërisht për të mos cenuar platformën/pozitën negociatore të shqipërisë, apo për të mosekspozuar nivelin e përgatitjes të grupit negociator/palës shqiptare. Nga zhvillimet e mëpasshme është e qartë se Kryeministri Rama, më së paku me mungesë të sinqeritetit, me papjekurinë e tij, apo me mosnjohjen e ligjit, i ka dëmtuar të gjitha këto, duke arritur deri aty sa të keqinformojë apo të keqorientojë autoritetet e vendit fqinj, se ka pengesë Presidentin e Republikës Ilir Meta. Si President nuk kam lejuar cenimin e interesave të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, ndërkohë që Kryeministri Rama përgjithë sa parashtrova më sipër, në kundërshtim me atë që dikton Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2010, për të mos marrë asnjë kosto politike apo ligjore mbi vehte, por për ti faturuar ato tek të tjerë, ka zgjedhur subjektivisht vet, me iniciativën e tij, që ta drejtojë çështjen në një Gjykate Ndërkombëtare, por ndërkohë që në mënyrë krejtësisht të pavënd ka bërë pohime publike për shumë detaje apo qëndrime politike që në çdo rrethanë nuk e forcojnë pozitën negociatore apo proceduriale të Republikës së Shqipërisë, por e dobësojnë atë”, thekson Meta.
Mesazhi i Metës:
Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.
LETER KUVENDIT- KUFIZIMI ZONAVE DETARE ME GREQINE 21 KORRIK 2022 (1)