Ndër të parët që u magjeps nga Kapri, ishte perandori romak Tiberius që u internua në këtë ishull. Më vonë, edhe perandori August e pushtoi dhe qëndroi për disa kohë në këtë vend përrallor. Një nga adhurueset e famshme të Kaprit, ka qenë dhe Jacqueline Kennedy, e cila u bë e famshme për ecjet zbath nëpër rrugët e kalldrëmta të Kaprit.
Sot, më shumë se kurrë, Kapri vazhdon të jetë një destinacion për udhëtarët e pasur dhe të famshëm, të magjepsur nga stili dhe deti fantastik.
Historia mijëvjeçare
Ishulli shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 10 km katrorë, i shpërndarë midis qyteteve Kapri dhe Anakapri. Nga bluja e thellë e detit, del një varg shpellash dhe pirgjesh, që bashkohen në një pikë të caktuar. Është pikërisht Marina Grande, porti i vogël i ishullit nga niset dhe teleferiku i famshëm deri në qytet.
Shtëpi prej shtufi, çati me tarraca, harqe, pjergulla dhe rrugë gjarpëruese që përfundojnë të gjitha në Piazza Umberto I. Ky shesh i mbushur me kafene dhe lokale, është shumë i frekuentuar nga VIP-at. Nga këtu, mund të shijohet pamja e mrekullueshme e Marina Grande, kishës së Santo Stefanos (e rindërtuar në vitin 1600, duke përzier format barok me kupolat arabeske), si dhe Palazzo Cerio, që dikur ishte kështjella e Giovanna I d’Angiò.
Kapri ishte shumë i dashur nga romakët, aq sa në të u ndërtuan 12 vila perandorake. Villa Jovis është më e madhja prej tyre, e quajtur ndryshe edhe pallati i Tiberiusit sepse nga këtu udhëheqësi i madh komandonte Perandorinë Romake nga viti 27 deri në vitin 37 pas Krishtit. Mund të arrihet pas një ecjeje 45-minutëshe nga kisha e San Michele.
Panorama marramendëse
Nga kisha e San Maria del Soccorso mund të shijohet pamja fantastike e gjireve të Napolit dhe Salernos. Në Capo Massullo, jo shumë larg shpellave, qëndron shtëpia e kuqe pompeiane e shkrimtarit Curzio Malaparte, një kryevepër e racionalizmit italian.
Anakapri është qendra e dytë e ishullit, e rrethuar nga ullishte dhe vreshta të shumta. Nga aty, duke ndjekur rrugën që zbret drejt Kullës së Damekutës e vitit 1100, gjenden gërmimet e fundit nga tri vilat romake. Së fundmi, ata që e duan natyrën, ngjiten në malin Solaro dhe mund të admirojnë të gjithë panoramën përrallore të ishullit.
Natyra e habitshme
Një shëtitje me varkë rreth ishullit është ideale për të admiruar bukurinë e Kaprit dhe për t’u zhytur në ujërat e pastër. Grotto Blu, 60 metra e gjatë dhe 25 metra e gjerë, mund të vizitohet me motobarkë ose me varka të vogla dhe përgjatë rrugës turistët kanë mundësi të shikojnë edhe banjat e famshme Tiberius.
Kjo zonë njihet për një reliev unik për shkak të pranisë së magmës së poshtme, qartësisht e dukshme dhe ende aktive. Gjithashtu, të njohur janë dhe tre shkëmbinjtë e lartë, përkatësisht: Stella 109 metra e lartë; Faraglione 81 metra që përshkohet nga njëra anë në tjetrën nga një tunel; Scopolo, 104 metra e lartë.
Diversitet kulturor
Me referencat e shumta kulturore, hijeshinë e detit dhe natyrën, Kapri është edhe sinonim i modës, stilit unik, elegant dhe të thjeshtë të të jetuarit në det. Qyteti është i mbushur me veshje, bizhuteri dhe parfume që ekspozohen në vitrinat e dyqaneve artizanale apo në butikët luksozë të markave të mëdha vendase dhe ndërkombëtare. Veç tyre, nëpër pedonale gjenden edhe lokale të shumta, ku serviret ushqimi i shijshëm, vera dhe produktet vendase.