Ishte shpallur në kërkim për vjedhje, arrestohet 28-vjeçari në Durrës

Një 28-vjeçar është arrestuar në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim.

Shtetasi me iniciale Sh.Z., rezulton i dënuar për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Last move”. Përdorte pistoletë lodër dhe armë të ftohta, për të vjedhur me dhunë në subjekte të ndryshme, vihet në pranga 28-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Sekuestrohen një pistoletë lodër dhe një armë e ftohtë (thikë). Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last move”, si rezultat i të cilit u kap dhe u ndalua, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasi në kërkim:

Sh. Z., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka vjedhur me dhunë, duke përdorur një pistoletë lodër, në dy subjekte të ndryshme, konkretisht:

Më datë 17.07.2022, në një dyqan, i ka vjedhur me dhunë shitëses, duke e kërcënuar me pistoletë lodër, shumën 45.000 lekë;  Më datë 18.07.2022, në një supermarket, i ka vjedhur me dhunë shitëses, duke e kërcënuar me pistoletë lodër, shumën 56.000 lekë. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë lodër dhe një thikë, të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe një sasi parash. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *