Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e prokurorisë së Vlorës që kërkoi të dërgojë në burg një të ri, i cili një vit më parë sulmoi për një fjalë goje një bashkëmoshatar. I riu me inicialet L.S ishte vetëdorëzuar në polici një vit më parë dhe duke këmbëngulur se e shanë nga motra dhe ndaj humbi qetësinë, përdori veç kësaj si argument në gjykatat më të ulta edhe faktin që ndiqte shkollën dhe se burgu po e ndalonte të arsimohej.
Por në kohën kur vlonjati qëndroi vetëm pak ditë në burg, apeli ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje pikërisht për këto rrethana që u panë si lehtësuese. Por vendimi u kundërshtua në Gjykatën e Lartë nga prokuroria e apelit të këtij qyteti. Sipas prokurorisë lokale ngjarja ndodhi një vit më parë dhe i riu qëndroi vetëm pak orë në burg duke mos ndikuar në dhënien e drejtësisë për krimin që dëmtoi bashkëmoshatarin tjetër. Në një dosje ku secili tregon se si dy të panjohur mund të konfliktohen për një fjalë goje aq më tepër për motrën (një sharje tipike e zonës) thuhet se policia e Vlorës u njoftua nga një telefonatë në sallën operative ku një qytetar kërkoi ndihmë. I plagosuri i identifikuar si A.l që u përcoll për ndihmë në spital i tha policisë se sapo kishte përfunduar mësimin.
“Po shkoja tek furra të merrja një picë. Afër dyqanit të luleve, në trotuar pashë dy djem, ku njeri më tha përse e shikoja.”
I dëmtuari sipas policisë është përgjigjur se nuk po shikonte atë, mirëpo “personi i kishte vënë dorën tek supi i djathtë dhe menjëherë e kishte goditur në faqen e majtë afër hundës deri afër qafës me një mjet prerës dhe më pas është larguar me automjet, bashkë me një person tjetër”, thuhet në vendimin që iu tregua Gazetasi.al.
Dëmtimet në trupin e të riut u konsideruan si plagë të rrezikshme mbasi ishte një e çarë nga hunda deri në qafë. Dëshmitarët treguan se kishin dëgjuar të shara dhe kur kanë dalë vërejtën të plagosurin përtokë.
Mes përpjekjeve për të zbuluar autorët, bëhet me dije se të dyshuarit nuk e lodhën shumë policinë. Dy të rinjtë, njëri i identifikuar si L.S dhe tjetri si A.V u paraqitën në komisariatin e policisë së Vlorës duke rrëfyer versionin e tyre. Njëri prej tyre që më pas u largua pasi pa skenën, shtetasi A.S, sipas vendimit tregon se gjendeshin në afërsi të dyqanit të luleve pranë Postës së Coles.
“Shoku im L. ka takuar shoqen e tij dhe po bisedonin, kurse unë qëndrova disa metra larg tyre dhe nuk po shikonte. Në një moment dëgjova një djalë të gjatë që po i thoshte L. ‘do të …motrën’ dhe e kishte kapur nga mjekrra dhe kishte thënë ‘hajde pak nga cepi’.
L. e kishte kapur nga mbrapa dhe e kishte qëlluar me çelës në pjesën e faqes së majtë. Në ato momente kishte ndërhyrë një person tjetër dhe nuk e kishte lënë L. që ta godiste, pasi ishte futur në mesin tyre.Pikërisht fakti që i riu humbi qetësinë se i shanë motrën duket se i ka shtyrë të gjitha gjykatat që të jenë tolerante ndaj të riut.
Në vendim thuhet: I pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi L. S., ka deklaruar se ishte ndjerë i frikësuar e i fyer dhe në momentin që ai ishte kthyer, kishte nxjerrë nga çanta çelësin e shtëpisë në fshatin Panaja, që ishte një çelës i gjatë metalik me një mbajtëse çelësash portokalli me mbishkrimin “Skoda” në formë drejtëkëndore dhe me atë në dorë e kishte kapur nga mbrapa dhe kishte tentuar ta qëllonte në fytyrë dhe në atë moment djali kishte lëvizur kokën dhe çelësi e kishte çjerrë në krahun e majtë tek faqja.
Në gjykatën e Vlorës i riu përdori si argument faktin që çelësi i shtëpisë nuk mund të konsiderohej armë si dhe humbjen e qetësisë se e kishin sharë nga motra.
“L.S i ka paraqitur gjykatës kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, duke pretenduar se ka përdorur një çelës, pra një mjet të papërshtatshëm për të sjellë si pasojë shëmtimin e të dëmtuarit dhe në gjendjen që ndodhen aktet, nga veprimtaria hetimore ka rezultuar të jetë provuar se, i dyshuari ka përdorur një çelës, konkluzion që ka dalë nga një akt ekspertimi i kryer menjëherë pas ngjarjes, duke mos i dhënë mundësi vetë të dyshuarit të tregojë nëse shëmtimi është i përhershëm apo do të rikuperohet, për më tepër që akti i parë i ekspertimit ka dalë në konkluzion të gabuar përsa i përket llojit të mjetit të përdorur, duke definuar mjetin si mjet prerës, çfarë nuk është e vërtetë, pasi çelësi i shtëpisë nuk futet në kategorinë e mjeteve prerëse”, thuhet në vendimin e pazakontë.
Gjykata e apelit shpreh tolerancë në një tjetër këndvështrim.
“Kemi të bëjmë me një person që është në një moshë shumë të re, që është duke ndjekur studimet e larta universitare, dhe se masa e sigurimit “arrest në burg”, i ka ndërprerë atij procesin e edukimit, çmohet e arsyeshme caktimi i një mase sigurimi më të butë për t’i dhënë atij mundësinë për të mos ndërprerë procesin e mësimmarrjes”, deklaron apeli./Gazetasi