Nga hapja e negociatave me BE tek atentatet mafioze me 4 të vrarë në Fushë-Krujë e Milot, gjithçka ka ndodhur në një javë

Kjo javë ka qenë e mbushur me ngjarje nga ato më të rëndat me bilance të frikshme vrasje e deri te lajme të mira si ajo e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme në vend.

Hapja e negociatave me BE-në

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të martën hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapën negociatat. Dy vendet kanë qenë në bllokun e njëjtë sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.

Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pa mbajtura dhe rinisje të mundimshme.

Por, ai tha se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.

“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, tha Rama. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se hapja e bisedimeve me Shqipërinë, është një arritje e madhe si për Tiranën, ashtu edhe Brukselin. “Ballkani Perëndimor është tej mase i rëndësishëm për BE-në dhe ky është një moment në të cilin kjo rëndësi po tregohet”, tha ai.

4 të vrarë dhe një i plagosur në më pak se një javë

Vendi ynë është tronditur nga dy atentate brenda një jave që lanë pas 4 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë. Pasditen e 17 korrikut, 4 persona të paidentifikuar ekzekutuan me breshëri kallashnikovi tre të rinj në mbikalimin e Fushë-Krujës. Viktima të atentatit mbetën Brilant Martinaj, që dyshohet se ishte dhe objektivi, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Tre viktimat ishin duke udhëtuar me një mjet “Volkswagen Passat” nga Rinasi në drejtim të Laçit kur një makinë po “Volksëagen Passat” i zuri pritë, 3 persona dolën nga mjeti dhe zbrazën breshërinë e kallashnikovit mbi ta. Nga breshëria e plumbave makina shpërtheu në flakë. Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha u shkrumbuan brenda Voslëagenit që u dogj. Ndërsa Diklen Vata, i cili ishte pasagjer në pjesën e pasme, mundi t’i shpëtonte plumbave dhe tentoi të largohej duke dalë nga mjeti. Kur autorët e panë që doli gjallë, u kthyen dhe u siguruan që të vdiste.

Vetëm pak ditë pas masakrës me 3 të vrarë që tronditi Shqipërinë, krimi goditi sërish në Milot. Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri kallashnikovi. Preçi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve  dhe mbërriti në spital pa shenja jete.  Dy personat ishin duke qarkulluar me automjet dhe në Milot janë gjendur përballë breshërisë së armëve. Preçi dhe Brahimi janë emra të njohur për policinë. Ata i kanë shpëtuar atentateve edhe më parë. Brahimi ka qenë i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa është marrë në pyetje dhe për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi. Ndërsa, Klisman Preçi është arrestuar për një tentativë grabitjeje me armë në Milot. Pas gjithë këtyre ngjarjeve, policia gjen vetëm emrat e viktimave dhe gëzhojat në vendngjarje, ndërsa autorët as nuk identifikohen jo më të arrestohen.

Gjithashtu, sot në Vlorë, ka pasur të shtëna me armë zjarri, pa të lënduar. Një person, pas sherrit bana për parkim, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër. Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje për të sqaruar rrethanat.

Shqipëria bëhet me president të ri

Me ceremoni shtetërore, sot do të betohet presidenti i ri i vendit Bajram Begaj. Begaj do të betohet si presidenti i tetë i vendit në Kuvendin e Shqipërisë me një ceremoni që do të përcillet me intonimin e himnit kombëtar, gardën ceremoniale dhe 21 të shtëna topi. Atij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit. Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor të këtij viti, me 78 vota të deputetëve të Kuvendit në raundin e tretë, pasi që Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë nuk ishin pajtuar për zgjedhjen e një figure konsensuale për president. PD ka refuzuar votimin e Begajt dhe e ka cilësuar jo-kushtetues emërimin e tij. Para votimit, Begaj, një ushtarak karriere, tha se do të mbajë pozitën e presidentit “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.

“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, tha Begaj. Begaj, mjek në profesion, vjen si President nga pozita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor, dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Begaj bëhet presidenti i tetë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit. Ai merr detyrën nga Ilir Meta, presidenca e të cilit u karakterizua me përplasje me Qeverinë e Edi Ramës dhe beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidentit ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Arrestime të zyrtarëve

Këtë javë, 14 efektivë në Shkodër u arrestuan pasi nga hetimet rezultoi se nga 2020 deri në fund të vitit 2021, këta punonjës policie dhe punonjës të administratës civile pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e tenderëve me vlera të vogla që janë zhvilluar nga kjo Drejtori. Gjatë hetimit ka rezultuar se punonjësit e Sektorit të Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë kryerjes së auditimit të procedurave të tenderimit për vitin 2020 dhe 2021 dyshohet se nuk kanë pasqyruar në mënyrë të qëllimshme shkeljet e kryera në lidhje me procedurat e prokurimeve kryer nga punonjësit përgjegjës të Policisë Shkodër. Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se punonjësja V.XH., me detyrë Specialiste pranë Sektorit të Buxhet/Financës në D.V.P Shkodër dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke përvetësuar shuma të ndryshme parash në periudha të ndryshme kohore, për vete dhe punonjës të tjerë të kësaj Drejtorie, me burim të ardhurat nga paga e punonjësve të policisë. Sot, me vendim gjykate ata u lanë të lirë.

Gjithashtu u arrestua edhe një gjyqtare në qytetin e Elbasanit me urdhër të SPAK, nën akuzën e korrupsionit. Bëhet fjalë për gjyqtaren Zamira Vyshka, ndaj së cilës është arrestuar caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpiak”. Në pranga ka rënë dhe avokati Ilir Pashaj të cilët kanë abuzuar duke marrë 4 milionë lekë për të lehtësuar një masë dënimi, ngjarje e ndodhur në tetor 2021. Sot u zhvillua seanca gjyqësore në GJKKO dhe u la në fuqi vendimi për “arrest shtëpie”.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *