Gjykata e Vlorës ka pezulluar nga detyra 4 oficerë të policisë rrugore dhe masën “detyrim paraqitje” për një tjetër me akuzën për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Në dosjen e publikuar thuhet se policët Medin Canaj, Armir Xhafaj, Renols Mataj, Taulant Kasa, Endri Kasaj, kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me masa administrative jo në proporcion me shkeljen e kryer drejtues të ndryshëm automjetesh; kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari si dhe kanë dekonspiruar operacionet e rrugorëve.
DOSJA
Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal të vitit 2022 për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë hetimeve të kryera deri më tani në funksion të këtij procedimi penal, nga të dhënat e grumbulluara deri më tani, bazuar në transkriptet e bisedave telefonike të përgjuara, duke i vlerësuar dhe ballafaquar ato me vëzhgimet e kryera në terren të subjekteve të këtij procedimi dhe përgjimeve ambientale të kryera nga policia gjyqësore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Drejtoria Vlorë-Gjirokastër, penal, si dhe administrimit dhe verifikimit të praktikave të kryera prej tyre, rezulton se krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se punonjësit e policisë rrugore Medin Çanaj, Armir Xhafaj, Renols Mataj, Taulant Kasa, Endri Kasaj, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, me anë të veprimeve të kundraligjshme të kryera gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale si punonjës të sektorit të qarkullimit rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë shpërdoruar detyrën duke ndëshkuar me masa administrative jo në proporcion me shkeljen e kryer drejtues të ndryshëm automjetesh; si dhe kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari sa i përket identitetit të kundravajtësve, me qëllim mos penalizimin e tyre dhe heqjen e automjeteve nga sistemi “Alert”, duke i shkaktuar dëm ekonomik si dhe duke cenuar interesa e ligjshme të shtetit, duke konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.
Po kështu ka rezultuar e provuar se disa prej punonjësve të mësipërm të policisë kanë kryer veprime të kundraligjshme që kanë konsistuar në njoftimin më parë të personave të ndryshëm që ofrojnë në mënyrë të parregullt dhe pa licencë shërbimin taksi dhe furgon pasagjerësh në qytetin e Vlorës, duke dekonspiruar kështu kryerjen e aksioneve dhe kontrolleve ndaj këtyre subjekteve nga kolegët e tyre.
Sa më sipër, nga aktet e administruara deri më tani, është regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale emri i shtetasve Renols Mataj, Armir Xhafaj, Endri Kasaj, Taulant Kasa, medin Çanaj, si persona që i atribuohet kryerja e veprës penale të parashikuar.
Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Vlorës, Gjykata e Rrethit Vlorë më 24 korrik ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal shtrënguese “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin nën hetim Medin Canaj, 31 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim. Canaj është larguar nga policia e Vlorës më 10 maj të këtij viti;
Caktimin e masës së sigurimit ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik” për shtetasit nën hetim Renols Mataj, Endri Kasaj, Taulant Kasa, Armir Xhafaj, me detyrë trup shërbimi në seksionin urban dhe interurban të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me evidentimin e veprimeve dhe praktikave të tjera dhe personave të tjerë të implikuar në rastet e kundraligjshme të evidentuara deri më tani.