Diplomati Agim Nesho ka qenë i pranishëm ditën e sotme në konventën kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë fjalës së mbajtur, Nesho bëri një gafe, ku u shpreh se Edi Rama erdhi në pushtet me aleancën e qelbësirave. Kjo gafë e diplomatit ka vënë në siklet ish-presidentin Ilir Meta dhe simpatizantët e kësaj force politike.
“Partia e re do të rikthejë shtetin ligjor. Ky regjim erdhi në pushtet nga ashtuquajtura aleanca e qelbësirave”, tha Nesho duke vënë në siklet sallën e Pallatit të Kongreseve, pasi shprehja “aleanca e qelbësirave” i dedikohet aleancës së Edi Ramës me LSI në vitin 2013.
Më tej ai ka shtuar se lëvizja e re që po lind sot është partia e të gjithë shqiptarëve dhe se partia e re do të rikthejë llogaridhënien.
“Lëvizja e re që po lind sot është partia e të gjithë qytetarëve sot në të gjithë Shqipërinë, për ata që mendime e të cilëve iu anashkalohen ditët e sotme, për gazetarët që sot dërgohen për riedukim. Partia e re do të rikthejë llogaridhënien, ata që kanë vjedhur me PPP-të apo inceneratorë të vendosen para ligjit dhe paratë t’u kthehen popullit. Partia e re do të rikthejë shtetin ligjor. Ky regjim erdhi në pushtet nga ashtuquajtura aleanca e qelbësirave, ku deri më tani ka qenë dobësimi i opozitës dhe forcimin e shtetit autokratik. Kjo po e kthen Shqipërinë në një demokraci të deleguar nga interesat e autokratit. Shqipërisë e kuptojnë rrezikun që i vjen nga kapja e shtetit, trafikut të drogës apo oligarkisë. Sot demokracia në udhëkryq, të bashkohemi të gjithë për të fituar betejën”, tha ndër të tjera Nesho gjatë fjalimit të tij.