Mançester Junajtid është ende në errësirë sa i përket të ardhmes së Kristiano Ronaldos dhe nëse ai do të kthehet në skuadër.
Skuadra u kthye në Mançester nga turi në Tajlandë dhe Australi të dielën, ndërsa ylli portugez, i cili ka kërkuar largimin nga “Old Trafford”, nuk udhëtoi me skuadrën në turin 17-ditor jashtë vendit.
Zyrtarisht arsyeja e mungesës është se 37-vjeçari ka kërkuar leje që të qëndrojë pranë familjes për shkak të një problemi, por durimi i “Djajve” është testuar tri javët e fundit me portugezin, i cili ende vijon që të mos prezantohet në grumbullim.
Klubi e ka pranuar justifikimin e lojtarit dhe është treguar i kujdesshëm për të mos i ushtruar presion. Ai vazhdon të postojë foto duke u stërvitur individualisht në Lisbonë.
Nuk dihet nëse ai do të largohet apo jo deri në fund të merkatos, por e sigurt është se nëse ai qëndron në Mançester, pritet ta humbasë ndeshjen e parë të sezonit të Premier Ligës kundër Brajtonit javën e ardhshme.
Pavarësisht se ai ka postuar një foto duke u stërvitur në palestër të shtunën, ditën që skuadra e Mançester Junajtidit barazonte me Aston Vilën 2-2 në Përth, CR7 nuk ka bërë përgatitjen e njëjtë me shokët e skuadrës nën drejtimin e Erik ten Hagut.
Ronaldo dëshiron që të luajë në Champions sezonin e ardhshëm dhe këto ditë është rihapur pista e Atletikos së Madridit.
Por nuk përjashtohet as mundësia që ai të vazhdojë të qëndrojë në “Old Trafford” edhe gjatë këtij sezoni me shumë skuadra të painteresuara për shërbimet e tij