Nga Klara Dervishi
Në Kosovë nuk gjen dot asnjë që, nga sfera politike, të jetë pro nismës së “Open Balkan” apo, më shumë akoma, të nxisë autoritetet atje për t’u bërë pjesë e saj. I njohur si një nga politikanët më aktivë në 10 vitet e fundit, ish-ministri i Jashtëm kosovar Enver Hoxhaj, jo vetëm që e mbështet këtë nismë, por i kërkon Kryeministrit Albin Kurti të bëhet sa më shpejt pjesë e saj.
Hoxhaj argumenton, në një intervistë për Priza.al, se frika e Kosovës për minim të sovranitetit, nëse ulet në këtë tavolinë, nuk qëndron. Megjithatë, politikani kosovar nuk ka asnjë pritshmëri për qeverinë e Kosovës, që sipas tij nuk ka as vizion, por as edhe vullnet të mirë.
Hoxhaj nuk kursen kritikat për BE-në, kur thotë se ka mjaft racizëm nga ana e saj, për faktin e mosliberalizimit të vizave me Kosovën. Politikani kosovar thotë se heshtja e BE-së për lidhjet e Serbisë me Rusinë është e rrezikshme dhe se po glorifikohet fashizmi serb.
Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ish-ministër i Jashtëm
Prishtinë, 26 Korrik 2022
1. Ka bërë bujë një deklaratë e juaja për çështjen “Open Balkan”, ku keni thënë që Kosova duhet të jetë pjesë. Çfarë ju bëri të bindeni për këtë, zoti Hoxhaj? Kemi të bëjmë me ndryshim qëndrimi apo një bindje?
“Open Balkan e shoh si kornizë për një bllok homogjen ekonomik dhe shoqëror, që do të bënte që Kosova dhe Shqipëria të jenë zgjatje dhe zgjerim i njëra-tjetrës, edhe nëse BE nuk zgjerohet ndaj nesh. Frika e Kosovës se kjo minon sovranitetin, nuk qëndron.”
– Mbështetja ime për Ballkanin e hapur ka të bëjë me bindje të bazuara në arsyet e shumta. Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e Washingtonit dhe është zotuar se do jetë pjesë e kësaj nisme që nga shtatori 2020, dhe sot është formalisht pjesë e saj, por nuk dërgon përfaqësuesit e saj! Shtetet të cilat nuk respektojnë marrëveshjet që nënshkruajnë, nuk merren seriozisht nga partnerët dhe mendoj se e dëmtojnë shumë kredibilitetin dhe prestigjin e tyre! Sa kam qenë ministër i Jashtëm, kam bërë beteja që Kosova të jetë në çdo organizatë rajonale dhe ndaj Ballkanit të kemi qasje gjithëpërfshirëse, dhe jemi anëtarësuar në rreth 30 organizata rajonale!
Ballkani i Hapur nuk është organizatë, se nuk ka statut, urtat dhe hierarki, por është një grup joformal shtetesh, që mund të bashkëpunojnë për tema të përbashkëta, sikurse është G7 apo G20! Frika nga disa, se kjo e minon sovranitetin e Kosovës, nuk qëndron sepse sovraniteti ynë varet nga raporti me shtetet e tjera dhe organizata, të cilat janë pasqyrimi i sovranitetit! Për më shumë, Kosova duhet të insistojë që të jetë aty me përfaqësim shtetëror dhe me simbole, sikurse çdo vend tjetër dhe duhet të kërkojë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që ato ta mbështesin Kosovën për një trajtim të barabartë! Ballkani i Hapur është projekt ekonomik dhe shoqëror, dhe këtu jam i bindur që është në urtat e shqiptarëve kudo në Ballkan! Marrë në tërësi, ka tri shoqëri shqiptare dhe tri ekonomi në Ballkan, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, dhe jo një bllok homogjen shoqëror dhe ekonomik! Prandaj, këtë nismë e shoh si kornizë për një bllok homogjen ekonomik dhe shoqëror, që do të bënte që Kosova dhe Shqipëria të jenë zgjatje dhe zgjerim i njëra-tjetrës dhe nëse BE nuk zgjerohet ndaj nesh, ne kemi të drejtë legjitime që, në hap me kohën, të krijojmë një kohezion të urta, një faktorizim të shqiptarëve në Ballkan!
2. A ka arsye të tjera Albin Kurti, nga ato që thotë, për të legjitimuar vendimin e tij, për të mos u ulur në tryezën e “Open Balkan”?
“Nuk shoh as vision për politikë rajonale dhe as argument politik apo ekonomik nga Kurti, për Open Balkan.”
– Çfarë po pretendon z. Kurti për Ballkanin e Hapur? Nuk po shoh as vizion për politikë rajonale dhe as argument politik apo ekonomik, por më shumë populizëm i bazuar në izolim të vetimponuar dhe paranoja të bazuara në frikë të paqëndrueshme! Për më shumë është një lloj ironie, kur z. Kurti sa ka qenë në opozitë, kishte një agjendë panshqiptare, kurse tash është bërë pengesë serioze e një bashkëpunimi normal ndërshqiptar dhe të një faktorizimi të tyre të ri në rajon!
3. Jo më kot cilësoshesh një nga politikanët më aktiv në politikën e Kosovës. Çfarë do të kishe bërë ndryshe nga Albin Kurti ose dita e parë e një qeverie që, p. sh., drejtohej nga ju, cili do të ishte vendimi i parë? Si po qeveris Albin Kurti dhe cilat janë pikat e tij më të dobëta?
“Nëse do të isha Kryeministër, gjëja e parë që do të bëja, do të ishte një marrëveshje për njohje të ndërsjellë me Serbinë. Kurti nuk ka as ide e as vullet. Kam zero pritshmëri nga ai.”
– Gjëja e parë që do të kisha bërë, është që, me urgjencë, do të arrija një marrëveshje historike për njohje të ndërsjellë me Serbinë dhe anëtarësimin në OKB, sa është në mandat Joe Biden dhe ka vendosmëri amerikane për një proces të dialogut! Kjo po dëshmohet edhe nga lufta në Ukrainë, që ka si pasojë rënien strategjike të Rusisë dhe izolimin ndërkombëtar të Serbisë, për shkak të politikës së saj pro ruse! Është momentum i ri, që duhet të shfrytëzohet për një gjë të tillë dhe anëtarësimi në NATO, por z. Kurti nuk ka as ide, as program dhe as vullnet për të bërë diçka! Pritshmëritë e mia për të dhe qeverinë e tij janë: zero!
4. Ndërkohë, BE po ngurron, për të mos thënë, po refuzon liberalizimin e vizave midis Kosovës dhe vendeve shengen? Çfarë po ndodh?
“Mosliberalizimi i vizave me Kosovën është shpërfaqe e një racizmi të hapur nga ana e BE-së me Kosovën… është pafytyrësi europiane mungesa e një vendimi.”
-Mungesa e një vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, kur nga viti 2018, Komisioni dhe Parlamenti Europian kanë konfirmuar disa herë, që Kosova ka përmbushur dyfishin e kritereve në raport me çdo vend në Ballkan, është shpërfaqje e një racizmi të hapur ndaj Kosovës! Është një pafytyrësi europiane, mungesa e një vendimi dhe mosdhënia e një shpjegimi racional se çfarë po ndodh!
5. Po në aspektin e politikës së jashtme a ka përparime? Duke vendosur një parim, që kur them PËRPARIME, nuk nënkuptoj rritjen e numrit të njohjeve, sepse ajo nuk varet nga qeveria dhe as nga një Kryeministër, por shkon më gjerë.
“Qeveria kosovare nuk ka as qëllime, as program dhe as rezultat. Fatale për Kosovën nëse nuk anëtarësohet në OKB.”
-Kosova nuk ka një politikë të jashtme, sepse qeveria e ka shndërruar politikën e jashtme në politikë të brendshme dhe nuk ka as qëllime, as program dhe as ndonjë rezultat të vetëm! Pjesëmarrja në konferenca është shndërruar në vetëqëllim, dhe këtu përfundon çdo gjë! Sot jam i sigurt që mund të merren çdo vit deri në 10 njohje dhe 3 anëtarësime në organizata, por z. Kurti ushtron sovranitet të brendshëm, nuk e zgjeron dhe ushtron sovranitetin e jashtëm! Kam bindje të plotë që kjo gjendje e çementon status qou-n dhe është kundër interesit dhe të ardhmes së Kosovës! Mungesa e vullnetit për të përmbyllur shtetësinë me anëtarësim në OKB, do të jetë pasoja historike fatale për Kosovën!
6. Zoti Hoxhaj kemi parë një intensifikim ose një qartësim të mbështetjes europiane për Kosovën. Kancelari gjerman Scholz ka qenë i drejtpërdrejtë në vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi, kur tha se integrimi i Serbisë kushtëzohet me njohjen e Kosovës. Ka një shtim të mbështetjes për Kosovën apo kjo bëhet për hir të një stabiliteti që kërkohet në Ballkan?
“Kosova dhe raporti i saj me Serbinë paraqet gurthemelin e paqes ose kërcënimin e saj në Ballkan.”
-Kancelari gjerman dhe qëndrimi francez, që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, gjë që deri më tani ishte insistim amerikan, tregojnë që Kosova dhe raporti i saj me Serbinë paraqet gurthemelin e paqes në Ballkan ose kërcënimin e saj! Prandaj, është urgjente arritja e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë dhe duhet të përdoret rizgjimi gjeopolitik i Europës dhe i Amerikës në përmbushje të këtij qëllimi madhor. Dhe kjo është në shërbim të stabilitetit në Ballkan.
7. Po pala tjetër, Serbia? Si e shihni sjelljen e shtetit serb ose më saktë të Vuçiçit? Ai përpiqet të justifikojë largimin nga dialogu duke fajësuar Prishtinën zyrtare?
“Serbia synon që ta mbajë Kosovën dhe Ballkanin në gjendjen e status quo-s. Ajo po blen kohën, por për Kosovën është urgjente marrëveshja.”
-Serbia synon që ta mbajë Kosovën dhe Ballkanin në gjendjen e status quo-s dhe duke pritur që të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare, që do të favorizonin në të ardhmen interesat e saj! Serbisë nuk i ngutet, por për Kosovën është urgjente marrëveshja! Për më shumë, historikisht, në këto 30 vitet e fundit, Serbia ka marrë pjesë në negociata me Kosovën, për të mos arritur kurrfarë marrëveshje me ne dhe ka ndjekur politikën e blerjes së kohës! Ndërsa në dy procese të mëdha negociuese, Kosova, qoftë në Rambuje, më 1999, ose në Vienë, më 2007, ka përmbushur dy qëllime historike: lirinë dhe pavarësinë! Sot duhet ta mbyllim temën e integrimit të Kosovës në OKB, në NATO dhe në BE!
8. Vendimet e fundit të qeverisë për targat dhe pasaportat, a ishin vendime të drejta? Ka shumë abuzime, që e cilësojnë atë një vendim të paparashikuar në marrëveshjet e deritanishme midis Kosovës dhe Serbisë.
“Kurti humbet kohë me targat, kur duhet të merret me dialogun për njohjen e ndërsjellë.”
-Targat dhe dialogu teknik janë humbje kohe, z. Kurti dhe qeveria e tij duhet të merren me kryetemën e dialogut: marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë!
9. Si i keni parë vendimet e përbashkëta të dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj kosovare? A kanë qenë ato efikase? A janë zbatuar? Si e shihni sjelljen politike të Edi Ramës në raport me Kosovën, dhe parë kjo edhe në raport me Serbinë ose me njeriun më të rëndësishëm atje, Aleksandër Vuçiç? Kush po shkon sipas një agjende politike të tijën dhe jo për interesat e vendit të tij? Është cilësuar si e gabuar dalja e Ramës përkrah me Vuçiç, në 23 qershor, në Bruksel, kur në fakt e drejta i lindte vetëm Ramës dhe Kovaçevskit. Kur them e drejta, them meqë dy vendet janë bashkë në një paketë për integrimin. E shihni shpesh Edi Ramën dhe sjelljen e tij si një përkrahës i Vuçiçit apo si një presion që ata që i kanë thënë “Open Balkan” mund t’i bëjnë BE-së, tani në rastin e një lufte, që ka ndryshuar gjithë realitetin botëror?
“Edi Rama mund dhe po e ndihmon Kosovën. Jam i sigurt që Kosova dhe Shqipëria kanë një politikë të përbashkët në raport me Serbinë.“
-Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë janë gjëja më e mirë që ka ndodhur dhe duhet të ketë sa më shumë bashkëpunim mes politikës, ekonomisë dhe shoqërisë, agjendë më agresive të një intregrimi mbarëshqiptar! Ky bashkëpunim duhet të lëvizë edhe më shumë në nivele më të ulëta dhe të shumëllojshme, sepse vetëm kështu mund t’i japim kuptim gjeografisë, demografisë, ekonomisë, duke krijuar një kohezion të madh dhe bllok homogjen shqiptar në Ballkan! Mendoj se Kryeministri Rama ka bërë një punë të madhe, duke ndihmuar Kosovën, por edhe shqiptarët në Ballkan në një kohë kthese për rajonin! Temat ndërshtetërore që ka Kosova me Serbinë, janë tema të z. Kurti dhe të qeverisë së tij, meqë është qeveria e Kosovës ajo që përfaqëson vendin, por Edi Rama mund dhe po e ndihmon Kosovën! Nuk mendoj që është Beogradi ai që mund të krijojë hutim te shqiptarët, por jam i bindur që Kosova dhe Shqipëria kanë një politikë të përbashkët në raport me Serbinë, politikë, e cila, në fund të ditës, është edhe politika perëndimore ndaj dialogut dhe të ardhmes së rajonit, si rezultat i koordinimit Washington-Bruksel!
10. Lajçak, kryenegociatori i bisedimeve Serbi-Kosovë. Është kritikuar shpesh edhe nga qarqet e qeverisë së Kosovës. A bëhet fjalë për një “tradhëti” ndaj Kosovës?
“Vendi i Lajçak-ut nuk e ka njohur Kosovën, por ai ka thënë se mandati i tij është njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi. BE e bën politikën e saj në raport me Ballkanin e jo mbi bazën e paragjykimeve që kemi për dikë.
-Lajçak-u e ka mandatin e tij dhe Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian, me një shumicë absolute të votave, që kërkonte që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, tregon për qartësinë që ka Europa! Fakt është që vendi i tij nuk e ka njohur Kosovën, por Lajçak-u, në të gjitha takimet e mbyllura me partitë në Kosovë, ka thënë disa herë se mandati i tij është të arrijë marrëveshje për njohje të ndërsjellë! Mendoj se shtetet kyçe, si Gjermania dhe Franca, që e udhëheqin BE-në dhe institucionet e BE-së, Këshillin Europian, Komisionin dhe Parlamentin Europian, e bëjnë politikën në raport me Ballkanin, dhe jo paragjykimet që mund të kemi për dikë!
11. Maqedonia e Veriut dhe plani francez. Sa legjitime është reagimi i opozitës?
“Opozita në Maqedoninë e Veriut kundër interesave të vendit. Mënyra komplekse e funksionimit europian nuk duhet të bindë askënd të heqë dorë nga integrimi.”
– Mendoj që reagimi i opozitës në Maqedoninë e Veriut ka qenë populist dhe kundër interesave të këtij vendit dhe së ardhmes europiane! Propozimi francez dhe mbështetja e LSDM-së dhe e BDI-së së Ali Ahmetit dhe të partive të tjera shqiptare ka qenë politika e duhur! Bullgaria dhe BE-ja e kanë tepruar në raport me kushtëzimin e tyre ndaj Shkupit, por mënyra komplekse e funksionimit europian nuk duhet të bindë askënd që të heq dorë nga durimi dhe rruga e drejtë europiane! Opozita në Ballkan, si kudo në botë, është shpërfaqje e moralit të dyfishtë: diçka tjetër pretendojnë gjatë opozitës dhe diçka të kundërt, kur vijnë në pushtet! Ka parti që i shërbejnë shtetit dhe ka të tjera që e duan vetëm pushtetin, edhe pse retorikën e kanë me shumë kolorite patriotike!
12. Lufta ka përfunduar prej vitesh, por është e papranueshme që kriminelët e luftës nuk janë vënë ende para drejtësisë. A ka Serbia miq edhe brenda BE-së, kur them miq, nuk e kam fjalën vetëm për ata që se kanë njohur Kosovën shtet, por edhe të tjerë, që e mbështesin qoftë edhe në mënyrë të tërthortë?
“Heshtja e BE-së për lidhjet e Serbisë me Rusinë është e rrezikshme… Serbia nuk e ka tejkaluar ankthin e dështimit të idesë së Serbisë së Madhe. BE po glorifikon fashizmin serb.“
– Një kohë të gjatë, Serbia ka përfituar nga raporti i ngushtë që disa vende kanë pasur me Rusinë dhe, shpeshherë, mbështetja në BE për Serbinë nuk ka pasur të bëjë me rolin e saj në rajon, por me përceptimet e gabuara që disa vende europiane kishin me Rusinë dhe lidhjen e saj me Serbinë! Edhe sot, kur Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë dhe BE-ja hesht, mendoj se është e rrezikshme! Nëse lufta në Ukrainë tregon që Rusia nuk e ka tejkaluar ankthin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe sot mundohet të ringjallë një perandori të vdekur, dhe promovon konceptin e “Botës Ruse”, koncepti shtetëror në Beograd i “Botës Serbe” dhe çfarë thotë çdo ditë Vuçiçi, tregojnë që edhe Serbia nuk e ka tejkaluar ankthin e dështimit të idesë së “Serbisë së Madhe”, të shpërbërjes jugosllave dhe të luftrave të humbura në Slloveni, Kroaci dhe Kosovë! Personalisht jam i shqetësuar për mënyrën se si BE-ja e trajton Serbinë, kur ajo ndjek politikë kundër vetë BE-së dhe NATO-s në Ballkan! Këtu pastaj, edhe politika e BE-së ndaj Serbisë, e cila çdo ditë bën përpjekje të rishkruajë të kaluarën dhe glorifikon fashizmin serb, është e gabuar dhe duhet t’i jepet fund kësaj qasjeje! Në një vend si Rusia, ku historia është e ardhmja dhe jo e kaluara, sikurse po tregon lufta në Ukrainë, dhe këtu Serbia është në frymë dhe shpirt e njëjta se si e sheh të kaluarën, ka vetëm potencial për të rikthyer përbindëshat e fazhizimit, që në Serbi ishin historikisht të shumtë!
13. Situata në Malin e Zi. Mesa duket, edhe atje do të kemi një krizë qeverisjeje? Shihni një ndikim të luftës në krizat e fundit qeverisëse, edhe në vendet e Perëndimit?
“Ndërhyrja ruse në Ballkan izolohet vetëm me zgjerimin e BE-së në Ballkan dhe me anëtarësimin e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës në NATO. Kriza në Malin e Zi është serioze.”
– Kriza në Mal të Zi është serioze, sepse raporti i Kishës Serbe në këtë shtet ka të bëjë me identitetin, kohezionin social dhe me polarizimin politik! Gjatë, në jetën politike serbe, është përhapur pikëpamja se malazezët, që janë komb dhe shtet para vetë serbëve, gjoja se nuk janë komb më vete, por vetëm degë e ndarë e kombit serb! Historikisht, kjo pikëpamje ka qenë e gabuar, hegjemoniste dhe sot, politikisht, armiqësore ndaj shtetit dhe kombit malazez! Kësaj teze, sot i fryn më shumë se çdokush vetë Kisha Ortodokse Serbe dhe disa qarqe shoviniste në Serbi, dhe kur Kisha merret më shumë me politikë sesa me çështje fetare dhe shpirtërore, është e ndjeshme se si do të rregullohet statusi i saj në Mal të Zi! Është vendim i Malit të Zi se çfarë do të ndodhë, por ka të bëjë me të gjithë rajonin, sepse famullitë e kësaj Kishe përhapin ide më të errëta dhe më pro ruse në Ballkan! Vetëm zgjerimi i BE-së në Ballkan dhe anëtarësimi i Kosovës dhe i Bosnjë – Hercegovinës në NATO janë arkitektura e duhur për ta parandaluar efektin e luftës në Ukrainë dhe ndërhyrjen ruse në Ballkan!
Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës. Cilësohet si një nga politikanët me aktivë në 10 vitet e fundit në Kosovë. Ai ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final të Kosovës (2005-2007), të udhëhequra nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, presidenti Martti Ahtisaari. Hoxhaj ka mbaruar studimet e Doktoratës për Histori dhe Politikë në Universitetin e Vienës. Ai ka botuar punime shkencore në gjuhën angleze, gjermane dhe shqipe për çështje të etnicitetit, nacionalizmit, identitetit dhe të konflikteve etnike.
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*