Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi mbanin armë pa leje.
Shtetasit me iniciale R. R., 39 vjeç dhe E. H., 28 vjeç akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Sakaq janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak dhe automjeti.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Nr. 1 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Double strike”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen 1 armë zjarri snajper, 1 armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie.
Vihen në pranga 2 shtetasit që i mbanin armët dhe sendet e kundërligjshme, në automjetin me të cilin qarkullonin dhe në banesat e tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në afërsi të rrethrrotullimit të Sanatoriumit, me një automjet, po qarkullonin 2 shtetas të armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Double strike”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– R. R., 39 vjeç, banues në Tiranë;
– E. H., 28 vjeç, banues në Laknas, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin R. R. dhe pasagjer shtetasin E. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit. Në vijim të kontrollit, në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.