Shqiptari Agim Toska është urdhëruar të dorëzojë më shumë se gjysmë milioni paund nga perandoria e tij kriminale. Policia ka kontrolluar një shtëpi në ‘Ashford Road’, ku gjeti nën dysheme kokainë me vlerë 75,000 paundë, dhe pesë kilogramë kanabis me vlerë rreth 50,000 paund.
Operacioni i tregtisë së drogës u zbulua teksa nga kontrollet në shtëpinë e tij u gjetën sasi parash, telefona celularë dhe dokumenta që e lidhnin atë me vepra kriminale. 26-vjeçari ka vuajtur më parë dënimin me nëntë vjet dhe shtatë muaj burg për tregtinë e drogës. Këtë javë teksa u paraqit në gjykatë, u zbulua se ai kishte fituar 656,000 paundë nga aktiviteti ilegal që kryente.
Gjykatësi Janet Waddicor dha urdhërin që Toska të paguajë 511,668 paundë, ose përndryshe ai duhet të përballet me shtatë vjet shtesë pas hekurave. Mediat lokale britanike kishin zbuluar më parë se Toska bashkëpunonte dhe me dy persona të tjerë. Policia gjithashtu ndaloi një Toyota Yaris në sheshin Hoëard në korrik të atij viti dhe zbuloi Artur Shulin, një shitës automjetesh, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti evropian nga Italia gjithashtu për shitje të drogërave të forta. Bashkëpunuesi i tretë ishte Marsel Toska, kushëriri i Toskës, i cili u ndalua dhe u kontrollua nga policia teksa iu afrua një makine në Devonshire Palace.
Atij iu gjet një çantë me 16,000 paundë. Një kontroll në banesën e tij zbuloi lëndë narkotike, qese plastike, 2000 paundë cash dhe një pasaportë false. Narkotrafikanti Agim Toska u burgos në gusht të vitit 2019 me nëntë vjet e shtatë muaj për trafik kokaine dhe kanabisi, si dhe posedim të pasurisë kriminale. Marsel Toska u burgos me gjashtë vjet e nëntë muaj për kokainë dhe posedim të identifikimit të rremë. Ndërsa Artur Shuli u dënua me gjashtë vjet për furnizim kokaine.