Transporti publik në Tiranë ka problematika të shumta. Problematika kryesore është mbipopullimi i stacioneve dhe autobusëve, pasi nuk respektohen oraret. Ambasada Gjermane përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ bën me dije se dy vendet kanë nënshkruar marrëveshjen ndërqeveritare për financimin e projektit ‘Transporti i Gjelbër i Tiranës‘ në shumën e 50 milionë eurove.
Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të përmirësimit të kushteve të transportit urban në kryeqytet.
“Gjermania dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen ndërqeveritare për financimin e projektit ‘Transporti i Gjelbër i Tiranës‘ në shumën e 50 milionë eurove.
Projekti, bazohet mbi një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusash në Tiranë, duke u përqëndruar në problematikat që hasen në tre korridorët kryesor të kryeqytetit, përkatësisht linja lindje-perëndim nga Kinostudio në Kombinat, Unaza (unaza e tretë e Tiranës) dhe Tirana e Re (pjesa qëndrore dhe perëndimore e qytetit) dhe ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban në Tiranë i cili të jetë si miqësor me mjedisin dhe klimën ashtu edhe i besueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët e kryeqytetit.
Fotografitë (© Creative Commons) tregojnë linjat e autobusëve në Tiranë dhe Nantes (Francë),” shkruhet në postimin e Ambasadës.