Autoriteti i Dosjeve njoftoi dje se nga një informacion i marrë në mënyrë anonime dhe pas verifikimeve të bëra prej tyre, ka rezultuar se një politikan i lartë me inicialet I.M ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë, në një shkresë të dërguar më pas Kuvendit, në formë ankese se përse dy komisione verifikimi nuk e kishin konstatuar këtë politikan si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, Autoriteti i Dosjeve thekson edhe emrin e tij, sipas të cilit bëhet fjalë për Ilir Metën.
Ky i fundit reagoi sot për mediat duke thënë se fillimisht një veprim i tillë ishte një vetëvrasje morale e Autoritetit të Dosjeve, ndërkohë që theksoi se vetë ai njihte “ja 40-50 Ilir Metaj”, madje disa prej tyre i kishte patur edhe në grup kur studionte në fillim të viteve ’90 në Fakultetin e Ekonomisë.
“Unë në atë kohë kam qenë vetëm sekretar i rinisë së Fakultetit të Ekonomisë i zgjedhur që në vitin e dytë se isha pothuajse me të gjitha dhjeta po dhe kisha aftësi si lider që atëherë, e bëja organizime e kjo ishte merita ime kryesore.
Unë njoh nja 40-50 Ilir Metaj që njoh unë e njëri është dhe deputet.
Në klasën time kemi qenë dy Ilir Metaj, po edhe tjetri jam i sigurt që s’ka qenë. Autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve ka një përgjegjesi të madhe se për nevoja personale të Ramës shkatërron përfundimisht besimin e tij në publik e krijon shqetësime te shumë njerëz që në të kaluarën kanë bërë një gabim e janë prekur e tani mund t’u dalin emrat që kanë fëmijë, kanë krijuar familje e ky është përgjegjësi e Autoritetit të Dosjeve”, tha Meta për mediat. Më sipër gjendet një fotografi e regjistrit të klasës së ish-Presidentit në Fakultetin e Ekonomisë ku duket se gjendet edhe një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër (Ilir Mero Metaj) si edhe po ashtu dy studentë të tjerë që kanë inicialet I.M, krahas Ilir Metës që njohim të gjithë./abc