Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Etleda Çiftja është paraqitur këtë të premte pranë ambienteve të SPAK, ku ky i fundit do të shpallë pretencë për të.
Çiftja akuzohet se ka kryer deklarim të rremë te pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë ish-Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.
Anëtarja e KPK-së është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aty thuhet se ajo ka punuar më shumë se 16 vite si juriste, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Po ashtu, ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.