Barcelona është “blinduar” gjatë kësaj merkato vere. Entuziast është edhe presidenti Joan Laporta, që tani shkon më tej, dëshiron rikthimin e Messit. Argjentinasi do të ishte “qershia mbi tortën” e rilindjes së kësaj Barçe, falë “levave” të famshme financiare.
Sigurisht, te Barça e kanë të qartë se rikthimi i 7 herë fituesit të “Topit të Artë” do të duhet të ndodhë vitin e ardhshëm. Argjentinasi ka edhe një sezon të mbetur në kontratën e tij me PSG.
Ajo që presidenti e ka të qartë është se historia e Leos me Barçën nuk mund të përfundojë siç u pa vitin e kaluar, me “La Pulga” që u largua kundër dëshirës së tij.
Kjo u tha në një ngjarje për të festuar aleancën e Barçës me ACNUR, agjencinë e refugjatëve të OKB-së, së bashku me trajnerin Xavi Hernández dhe lojtarë historikë e aktualë si Thierry Henry, Juliano Belletti, Jordi Alba, Ter Stegen, Kessie apo Sergio Roberto.
Në borxh me Messin: “Është një aspiratë që e kam si president dhe do të doja të ndodhte. Kam qenë bashkëpërgjegjës për atë largim të verës së kaluar, por e konsideroj provizor. Etapa e Messit te Barça nuk përfundoi ashtu siç donim të gjithë, përfundoi shumë e kushtëzuar nga ekonomia.
Kemi një borxh moral ndaj tij. Në këtë kuptim do të donim që fundi i karrierës së tij të ishte me fanellën e Barçës dhe të duartrokitet në “Camp Nou”.
Nënshkrimet e Barcelonës: “Kam ndjenjën se po punojmë mirë, lojtarët duan të vijnë përsëri te Barça. Ne po krijojmë një ekip të ekuilibruar, që mund të marrë pjesë në të gjitha garat me synimin për t’i fituar ato. Ka shumë konkurrencë, me minimumi dy lojtarë për çdo pozicion. Skuadra është përforcuar shumë”.
Mesazh për ata që nuk besuan: “Ata nuk e kanë kalibruar dot forcën e Barçës. Atyre që habitën, iu them se jemi shumë zgjuar. Jemi kthyer në treg. Kjo është pesha, forca dhe vlera e një klubi me më shumë se 122 vite histori, mund të habiteni shumë më tepër”.
Komentet nga Gjermania: “Unë do t’u thoja që të shikojnë llogarinë e tyre rrjedhëse, se paratë e rëndësishme i kanë marrë prej Lewandowskit. Ajo që ata po bëjnë është shtrembërim i realitetit”.
Më shumë nënshkrime: “Po bëhen përpjekje për të përmbushur vullnetin e trajnerit në përforcimin e sulmit, mesfushës dhe mbrojtjes. Nuk e përjashtoj mundësinë e një inkorporimi më shumë, me siguri në vijën mbrojtëse”.