Me armë zjarri gati për vrasje, arrestohet 26-vjeçari në Korçë; procedohet penalisht adoleshenti

Një person ka rënë në prangat e policisë së Korçës pasi u konstatua se mbante me vete një armë zjarri.

Blutë bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Klaudio Asllani, 26-vjeç. Dyshohet se ky i fundit mbante me vete një pistoletë dhe do të kryente një vrasje me pagesë.

Burime zyrtare bëjnë me dije gjithashtu se është proceduar penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me shtetasin Klaudio Asllani. Adoleshenti dyshohet që ka pasur dijeni se i riu mbante me vete armë zjarri.

Ndaj 26-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Matrix”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Operacioni, i zhvilluar nga strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë.

Qarkullonte i armatosur dhe gati për qitje, vihet në pranga 26-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.

Procedohet penalisht në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe krehëri me fishekë në të.

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që kishte dalë muajt e fundit nga burgu, dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Matrix”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shërbimet e Policisë, falë koordinimit të veprimeve, kanë bërë të mundur lokalizimin 26-vjeçarit në lagjen nr. 14, Korçë. Ky shtetas, sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me shtetasin K. A. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se shtetasi K. A. mbante me vete armë zjarri.

Vijon puna intensive, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, të cilat, për arsye hetimore, nuk i bëjmë dot me dije.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *