Vrasja e 37-vjeçares, Jetlira Elezi, nga bashkëjetuesi i saj, ishte një krim i paralajmëruar. Ditën kur gruaja vendosi të largohej nga banesa, rezultoi të ishte dhe dita e e saj e fundit.
Rreth orës 01:30 pas mesnate, në lagjen “Fushë-Mbret”, Ramiz Mici masakroi me thikë të renë. Autori i krimit është shpallur në kërkim nga ana e policisë.
Pronari i banesës, Xhafer Zdrava, rrëfen momentet kur e ka gjetur 37-vjeçaren të masakruar. Pronari tregon me detaje ngjarjen e rëndë, si dhe momentin e fundit, kur autori u largua nga shtëpia.
Çifti ka pasur konflikte të vazhdueshme, duke u përmbyllur ditën e sotme me një person në arkivol dhe një tjetër në kërkim. Tri ditë më parë, pas kallëzimit të bërë nga viktima, policia e kishte shoqëruar Ramiz Micin për dhunë, por që më pas u lirua. Që nga ky incident, ata jetonin në dhoma të ndryshme, por në të njëjtën banesë të marrë me qira.
Burime nga Prokuroria e Elbasanit sqarojnë se viktima, edhe pse kishte bërë kërkesë, nuk ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Çifti bashkëjetonin, ndërsa kishin nga dy fëmijë nga martesat e mëparshme. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, që fatmirësisht nuk ishte në banesë kur ndodhi ngjarja.
Jetlira punonte në një fast food, ndërsa Ramizi në ndërtim. Xhelozia mendohet si shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë, që i kushtoi jetën 37-vjeçares./ Priza.al