Rama dhe Meta polemikë mbi Sigurimin e Shtetit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot që beson tek Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit “i cili thotë shkresërisht, se Iliri që doli nga Presidenca para pak ditësh është i njëjti Ilir, që doli edhe nga dosja e Sigurimit”.

Mes ish presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama nisën komente të ndërsjellta në Facebook lidhur me çështjen e hapur prej disa ditësh nga Autoriteti i Dosjeve mbi bashkëpunëtorin I.M. të Sigurimit të Shtetit.

“Padiskutim që unë i besoj trupës së drejtuar nga Genta Sula e vetë asaj” – ka shënuar zoti Rama në një shkrim të publikuar përmes Facebook-ut.

Ai thekson se këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Politika thjesht duhet të vërë në dispozicion të atij Autoriteti mjetin e kërkuar ligjor, duke votuar në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga vet Autoriteti. Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve ’90” – komentoi zoti Rama.

Ish presidenti Ilir Meta ka hedhur poshtë komentet sipas të cilave ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në vitet studentore, duke renditur episode, që e largojnë nga detajet e paraqitura nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Zoti Meta publikoi sot në Facebook një karikaturë nga revista e Sigurimit të Shtetite vitit 1983, e cila sipas tij është krijuar nga kryeministri Edi Rama.

“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit. Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve. Ne do të fokusohemi për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar” – shënon zoti Meta në faqen e tij në Facebook, përkrah fotove nga revista.

Ish presidenti Meta ka deklaruar se “Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për falsfikimet dhe shkeljet e rënda që bëri me shkresat e fundit drejtuar Kuvendit”.

Autoriteti i Dosjeve i propozoi Kuvendit ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin për të drejtën e informimit mbi dokumentet e Sigurimit të Shtetit për t’i hapur verifikimit të plotë të ish bashkëpunëtorëve të tij, edhe nëse ata kanë marrë më herët çertifikata të pastërtisë së figurës.

Autoriteti e ka ilustruar këtë nevojë për ndryshime ligjore me inicialet e 6 personave, që mendon se janë bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit, mes tyre edhe I.M., e megjithatë u kanë shpëtuar verifikimeve dhe kanë vazhduar karrierën gjatë viteve të demokracisë

Menjëherë pas kësaj nisme të Autoritetit, dy grupet më të mëdha parlamentare i kërkuan Kuvendit ndryshime në ligjet, që kanë të bëjnë me sekretin shtetëror dhe me dokumentet e Sigurimit të Shtetit.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi de-klasifikimin si sekrete shtetërore të gjithë dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në 1991.

Ndërsa socialistët kërkuan që Autoriteti për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të ketë lirinë e verifikimit të pastërtisë së zyrtarëve dhe kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë, sa herë që ka zgjedhje,

Amendamentet e socialistëve në Kodin Zgjedhor kërkojnë verifikimin e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë në çdo palë zgjedhje parlamentare dhe vendore.

Dosjet e Sigurimit famëkeq të Shtetit, krimet e tij, drejtuesit, urëdhëruesit dhe bashkëpunëtorët e tyre janë një histori e pandriçuar asnjëherë në Shqipëri, gjatë 31 viteve të tranzicionit dhe të demokracisë, edhe pse janë ndërruar 8 kryeministra dhe 10 qeveri nga shumicat socialiste dhe demokrate, që kanë zevëndësuar njëra tjetrën në pushtet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *