Pijet freskuese, në krizë nga kostot e larta

Shtrenjtimi i lëndëve të para ka rritur kostot e prodhimit të pijeve freskuese nga 18 deri në 25%. Prodhuesit e mëdhenj të markave ndërkombëtare pohojnë se situata është alarmante, ndërsa konflikti në Ukrainë ka shtuar pasigurinë financiare. Në treg, në tërësi, çmimet e pijeve freskuese për konsumatorin janë rritur deri në 20%. Shtrenjtimi ka tkurrur konsumin. Edhe eksodi i të rinjve ka ndikuar te rënia e shitjeve. Shtrenjtimi i lëndëve të para i çmimit të energjisë dhe naftës ka prekur edhe prodhuesit e pijeve freskuese. Për të përballuar shtimin e kostove prodhuese nga 18 deri në 25% më shumë se vjet, i cili nisi që në pandemi dhe vijoi me luftën Rusi-Ukrainë, operatorët vendas janë detyruar të rrisin çmimet për konsumatorin.

Për pasojë, konsumi është tkurrur, duke favorizuar rritjen e importeve. Konsumi i vakët, edhe pse jemi në stinën e verës, ka ndikuar edhe në mbylljen e një prej kompanive të pijeve freskuese. Importet e pijeve freskuese vijojnë të kenë tendencë rritëse, ndërsa prodhimi në 3 vitet e fundit mbetet në nivele të njëjta. Emigrimi, që vijon të mbetet problematikë e mprehtë, ka detyruar disa sipërmarrje të tkurrin prodhimin.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021, prodhimi vendas ka shënuar rritje të lehtë prej 2,5% në krahasim me vitin e kaluar. Nga viti 2013 deri në 2016, tendenca e prodhimit ka pasur rritje të lehtë. Piku i prodhimit është shënuar në vitin 2018 dhe 2021. Prodhimi i vitit 2021, në krahasim me 2013, është rreth 48% më i lartë.

Për vitin 2022, prodhuesit e pijeve freskuese janë pesimistë, pasi i shqetëson rritja e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale të çmimeve. Ndërsa për kompani të tjera, pengesë për rritjen e prodhimit është edhe mungesa e fuqisë punëtore dhe emigrimi i popullatës. Presidenti i kompanisë më të madhe të pijeve freskuese, Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS, Luca Busi, tha për “Monitor” se rritja e kostove të prodhimit shënon shifra rekord në 18% krahasuar me një vit më parë.

“Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë. Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”, – nënvizon presidenti i CCBS, Luca Busi. Ai tha se rritja nis nga “lëndët e para si sheqeri (një mall strategjik agroushqimor për sektorin tonë) dhe arrin në preformat rPET (100% plastikë e ricikluar), duke kaluar nëpër të gjitha ato materiale të dobishme për paketim.

Dhe jo vetëm kaq, këtë vit janë rritur edhe materialet për procesin e mirëmbajtjes dhe pastrimit të linjave teknologjike, kosto që lidhen me procesin e prodhimit dhe logjistikën, kjo e fundit, në lidhje me transportin karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e karburantit. Është shumë e vështirë për ne, në këto kushte, të mbajmë në ekuilibër planin ekonomiko-financiar, jo vetëm për rritjen e kostove, por edhe për blerjen e materialeve të nevojshme për prodhim, për shkak të burimeve të kufizuara apo afateve shumë të gjata të dorëzimit. Jemi vërtet të lodhur, duke e kaluar këtë situatë. Ekziston një linjë e dytë e infektimit, jo më pak e rrezikshme se ajo shëndetësore, e cila po shkakton efekte shumë serioze në stabilitetin ekonomik botëror: një flluskë spekulative në tregje, po aq e rrezikshme dhe e dëmshme sa Covid-19 është dhe konflikti ukrainas”, pohoi ai.

Presidenti i CCBS, Luca Busi.
“Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë. Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”.

Përfaqësues të grupit “AGNA” që prodhojnë në Shqipëri markat e pijeve freskuese, si: “Pepsi”, “7 Up”, “Ivi”, “Lipton” pohuan për “Monitor” se po përballen me mbi 25% të rritjes së kostove nga shtrenjtimi i lëndëve, si: sheqerit, plastikës, energjisë, karburantit dhe rritja e pagave të punonjësve.

“Çmimet e lëndëve të para vijojnë tendencën rritëse. Aktualisht, çmimi i sheqerit është rritur me 70 deri në 80% më shumë se vitin e kaluar. Çmimi i plastikës, 60 deri në 70% më shumë. Çmimi i energjisë, nga 11 lekë për kwh që e paguanim, ka arritur në 19 lekë/kwh. Nëse do të shtonim edhe rritjen e pagave të punonjësve me 10 deri në 15% që kanë nisur të zbatohen prej muajit prill dhe të transportit, nga rritja e çmimit të karburanteve, kostot e shtuara të prodhimit janë mbi 25% më shumë se vitin e kaluar”. Qasja është e njëjtë edhe për një tjetër prodhues të pijeve freskuese. Administratori i “Fresh Company”, Kosta Bezhani, thotë se nga shtrenjtimi i lëndëve të para, kostoja prodhuese i është rritur 25%. “Aktualisht, po hasim vështirësi në prodhim për shkak të shtrenjtimit të kostove nga rritja e çmimeve. Energjinë elektrike vjet e paguanin 9 lekë, për këtë vit po e paguar 34 lekë/kwh, duke i shtuar edhe tarifën e shpërndarjes 1,5% mbi këtë vlerë. Rritje ka pasur edhe te çmimi i gazit dhe karburantit. Pra që të jesh i konkurrueshëm në treg, duhet të ulen kostot. Ne, edhe më parë, kemi punuar me fitim minimal”. Prodhuesit kërkojnë që në këtë situatë të ndërhyjë shteti me masa fiskale apo subvencione. “Janë një sërë faktorësh që, nëse nuk zgjidhen, do të ketë pasojë tek industria. Shteti duhet të jetë partner me kompanitë, pasi po kalojnë situatë të vështirë nga shtrenjtimet e çmimeve. Të paktën gazi në prodhim të mos ketë akcizë, apo të përdoren subvencionet, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera, sepse e kemi të pamundur të rezistojmë”.

Aktualisht në “Fresh Company” janë 55 të punësuar. Administratori Kosta Bezhani pohon me shqetësim se në këtë zonë, të rinjtë kanë emigruar dhe për këtë arsye është i detyruar të punësojë pensionistë. “Nëse largimi i të rinjve do të vazhdojë, Shqipëria pas 5 vitesh do të jetë vetëm një toponim gjeografik. Mungesa e fuqisë punëtore është tejet shqetësuese. Nuk po gjejmë as punonjës të huaj. Po mbajmë në punë pensionistë”, thotë ai.

Kërkesa
“Janë një sërë faktorësh që, nëse nuk zgjidhen, do të ketë pasojë tek industria. Shteti duhet të jetë partner me kompanitë, pasi po kalojnë situatë të vështirë nga shtrenjtimet e çmimeve. Të paktën gazi në prodhim të mos ketë akcizë, apo të përdoren subvencionet, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera, sepse e kemi të pamundur të rezistojmë”.

Rritja e çmimeve dhe emigracioni po ulin konsumin

Nëse pandemia shtoi më tepër kujdesin e shqiptarëve për të konsumuar produkte të shëndetshme, duke i bërë të hiqnin dorë nga pijet freskuese me gaz, këtë vit, arsyeja e rënies së konsumit janë çmimet e larta. Kjo ndihet jo vetëm te prodhuesit e vegjël, por edhe te markat e pijeve freskuese. Për shkak të shtimit të kostove, kompanitë e mëdha kanë rritur çmimin në nivele më të ulëta sesa të vegjlit, duke e amortizuar një pjesë të lartë te fitimet, për të mos humbur konsumatorin. Për shkak të rritjes së kostos, grupi AGNA është detyruar të shtrenjtojë çmimet e pijeve freskuese këtë vit nga 6 deri në 10%. Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se shtrenjtimi i çmimeve ka tkurrur konsumin, ndërsa pritshmëritë e stinës së verës nuk janë të kënaqshme.

Çmimet janë rritur edhe nga kompania Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS. “Po, padyshim që pasojat nga ky proces derivojnë në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Ne, në respekt të një etike që na ka dalluar gjithmonë, për të mbrojtur dhe për të garantuar konsumatorët tanë, kemi mbartur këtë rritje të lartë, si koston tonë financiare.

Duke iu referuar vetëm të dhënave numerike, rritja e kostove të prodhimit me 18%, krahasuar me rritjen që pësuan produktet tona me vetëm 6,5%, kuptojmë një hendek prej 11,5% që u mbulua tërësisht nga kompania. Një boshllëk i mbushur me humbjen e rentabilitetit nga ana e CCBS, e cila vendosi, sipas politikës së kompanisë, të mos spekulojë mbi spekulime, në përpjekje për të kompensuar rritjen e kostove, duke ruajtur përdoruesin përfundimtar”, nënvizon z. Busi.

Sipas tij, pavarësisht kostove në rritje, kërkesa e tregut ka shënuar gjithashtu një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar, duke konfirmuar faktin se i gjithë ekipi ka punuar shumë për të ruajtur tregun. “Janë tre faktorët që kanë ndihmuar këtë rritje të kërkesës: forca e Planit tonë të Biznesit, rritja e temperaturave dhe rimëkëmbja e turizmit në Shqipëri”, thekson presidenti i kompanisë CCBS. Situata është e ngjashme edhe te prodhuesit më të vegjël. Kosta Bezhani, i cili prodhon prej vitit 1992 në Dropull të Gjirokastrës pije freskuese në ambalazhim familjar, kryesisht për zonat rurale thotë se ka qenë i detyruar të rrisë çmimet për konsumatorin me 20%.

Bezhani shton se jo vetëm rritja e çmimeve ka ndikuar te konsumi, por edhe emigrimi, që për të konsiderohet problemi më madhor i prodhuesve. Drejtuesi i kompanisë “Fresh” parashikonte ecuri pozitive të konsumit gjatë 2022 nëse nuk do të kishte largime masive të popullsisë. “Tregu i pijeve freskuese në Shqipëri është i vogël, ndërsa investimet e fabrikave prodhuese janë për një treg më të madh konsumatorësh. Shqiptarët po largohen në emigracion, çdo ditë e më shumë vendi po zbrazet. Çdo ditë shohim të rinj që largohen nga Shqipëria, për këtë arsye konsumi është tkurrur.

Si pasojë, nuk parashikojnë të zgjerojmë investimet tona, që janë shumë të mëdha për kushtet aktuale. Edhe prodhimin nuk pritet ta rrisim, pasi në Shqipëri nuk ke kujt t’i shesësh pijet freskuese, kanë mbetur vetëm të moshuarit. Vera do të jetë e mirë, do të vijnë turistët e huaj, ndërsa shumica e emigrantëve këtë vit nuk kanë ardhur për turizëm. Zgjidhje të vetme shohim vetëm zbatimin e kontratave të eksportit me Kosovën”, thekson administratori i “Fresh Company”, Kosta Bezhani.

Në vitin 2021, ecuria e konsumit të kësaj kompanie ishte pozitive në raport me vitin pandemik 2020 dhe para krizës, për shkak të fluksit të lartë të emigrantëve. Shumë prej tyre, për shkak të karantinave në vendet fqinje, e kishin të pamundur të ktheheshin në atdhe në 2020.

Efektet e emigracionit
Tregu i pijeve freskuese në Shqipëri është i vogël, ndërsa investimet e fabrikave prodhuese janë për një treg më të madh konsumatorësh. Shqiptarët po largohen në emigracion, çdo ditë e më shumë vendi po zbrazet. Çdo ditë shohim të rinj që largohen nga Shqipëria, për këtë arsye konsumi është tkurrur. Si pasojë, nuk parashikojnë të zgjerojmë investimet tona, që janë shumë të mëdha për kushtet aktuale

Rriten importet e pijeve freskuese

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për periudhën janar-prill 2022, importi i pijeve freskuese u rrit me 18% krahasuar me vjet. Në raport me periudhën para pandemisë, importet e janar-prillit janë 43% më shumë se në 2019-n.

Ndërsa importet e vitit 2021 u rritën 38% më shumë se në 2020. Ndër vite, në Shqipëri, pjesën më të madhe të konsumit e zënë pijet freskuese vendase. Për 2021, pijet e importit zënë 54% të konsumit nga 47% në vitin 2020.

Mbyllja e kompanive

Prej vitit 2003, në fabrikën e kompanisë “STEFANI & CO” është prodhuar edhe pija freskuese e markës “American Cola” në paketim 0,33 litra kanoçe dhe 1,5 litra ambalazhim familjar. Rënia e konsumit të pijeve freskuese, zënia e konsumit në treg të markave si Coca – Cola dhe Pepsi, si dhe mungesa e fondeve për marketing, duke shtuar këtu edhe rritjen e kostove solli mbylljen e prodhimit të pijeve freskuese në këtë fabrikë. Kryeinxhinieri i kompanisë, Genti Hyka, tha për “Monitor” se pas mbylljes së prodhimit të pijes freskuese “American Cola”, prodhimi do të fokusohet te birra pa alkool, kryesisht për eksport për Kosovën.

“Prej vitesh, konsumi i pijeve freskuese ishte me rënie, për shkak të hyrjes në treg të markave ndërkombëtare që po prodhohen në Shqipëri. Te pijet freskuese, konsumatori zgjedh më shumë markat ndërkombëtare siç është “Coca-Cola” apo “Pepsi”, që shohin në reklama apo në stacionet e autobusëve. Mungesa e fondeve për marketing te kompanitë e tjera, ndryshe nga sa financojnë kompanitë e mëdha ishte një tjetër arsye e tkurrjes së shitjeve. Me nisjen e pandemisë, fillimin e luftës lëndët e para shënuan rritje të lartë, duke e kthyer prodhimin e pijeve freskuese të paleverdishëm.

Këto ishin arsyet pse u mbyll linja e prodhimit të tyre në fabrikë, e cila do të zëvendësohet me prodhimin e birrës pa alkool, duke synuar eksportin e saj në Kosovë apo vendet fqinje. Kostot e prodhimit janë rritur edhe për këtë produkt, por kërkesa e konsumatorit është më e lartë se pijet freskuese. Kompania gëzon teknologjinë bashkëkohore për prodhimin e birrës, duke qenë më e familjarizuar në prodhimin edhe të birrës pa përmbajtje alkooli”, pohoi z. Hyka.

Investimi i bërë për ndërtimin e linjës së re kapte shifrën 1,2 milionë euro. “Stefan and Co” përdori teknologjinë që ka bërë firma ekskluzive “Monarch Cola” me qendër në Atlanta dhe përfaqësi në Paris dhe ndër vite ka zgjeruar prodhimin me artikuj të rinj si “Kuencc”, që është një tip fante ekzotike, si dhe “Babell Up”, një tip i çajit të ftohtë “Frost Tea”.

Sipërmarrësit, kundër ndryshimeve të shpeshta fiskale

Ndryshimet e shpeshta të taksave, sidomos në periudhë krizash, nuk e ndihmojnë mjedisin e biznesit. Qeveria bëri një sërë ndryshimesh në paketën fiskale të vitit 2022, ku heqja e skemës së TVSH-së të kredituesshme 6%, vendosja e akcizës së gazit 6 lekë/litër, vendosja 10% TVSH-së tek inputet bujqësore të përjashtuar prej 2019-s u kundërshtuan nga sipërmarrësit, pasi rrisin kostot e prodhimit.

Sipas CEO-s së Coca-Cola në Shqipëri, Luca Busi, ndryshimet e shpeshta të taksave mund të kenë vetëm ndikim negativ në biznes. “Ne i kuptojmë dhe mbështesim ndryshimet që qeveria duhet të ndërmarrë në situata të jashtëzakonshme dhe të veçanta siç janë ato të diktuara nga urgjenca shëndetësore, e rëndësishme është që rregullat, pasi të vendosen, të respektohen nga të gjithë. Gjë që shpesh nuk ndodh, duke penalizuar ata që kanë vepruar gjithmonë në respektim absolut të rregullave. Ne jemi gjithashtu pozitivë dhe pro atyre ndryshimeve që kërkojnë më shumë burime dhe një kthim afatgjatë të investimit, siç janë taksat. Ndërkohë, dëshirojmë t’i kërkojmë qeverisë perspektiva të qarta fiskale për periudhën e ardhshme. Ndryshimet tatimore duhet të hartohen, të ndahen dhe t’u nënshtrohen konsultimeve me biznesin, një vit përpara hyrjes në fuqi, duke i dhënë kështu realiteteve të biznesit që mbështesin vendin, mundësinë për të fituar njohuri dhe qartësi në lidhje me udhëzimet e funksionimit, duke marrë masat e duhura për të përafruar dhe për t’u pajtuar me ligjet sapo të hyjnë në fuqi”, thotë në fund presidenti i Coca-Cola Bottling Shqipëria, Luca Busi./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *