Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e terminalit të ri të aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka kujtuar edhe grabitjen spektakolare që u bë brenda pistës së aeroportit.
Sipas Ramës, shkak për skandalin e grabitjes ka qenë koncesionari i mëparshëm, që sic shpjegoi ai nuk ka plotësuar kriteret dhe standardet për të administruar aeroportin.
Po ashtu, ai shtoi se tashmë siguria është rritur, teksa theksoi se është shtuar edhe numri i punonjësve të policisë.
“Edhe siguria e mbajmë mend të gjithë me shqetësim e revolt skandalin e futjes deri në pistë të një bande e cila u vu prapa hekurave si rezultat i mosplotësimit të standardeve të sigurisë nga kompania që operonte aeroportin më parë. Kështu ndodh në të gjitha vendet. Policia bën simulimet e nevojshme, jep sugjerimet, identifikon pikat kritike dhe asiston operatorët në marrjen e masave të sigurisë. Sot jemi shumë më tepër të sigurt në mënyrë se si operohet ashtu sikundër falë një plani pozitiv dhe gatishmërisë së operatorit për ta zbatuar, është shtuar numri i punonjësve të sigurisë këtu. Kjo bëhet për rritje të cilësisë së shërbimit për pasagjerë”, tha Rama.