Projektligji për dosjet e Sigurimit të Shtetit/ Grupi i Alibeajt: Do t’i japim fund përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist

Grupi Parlamentar i PD ka reaguar në lidhje me projektligjin për dosjet e sigurimit të Shtetit.

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e grupit Orjola Pampuri tha se ky projektligj synon t’i japë njëherë e mirë fund përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist.

Sakaq shtoi në këtë nisëm ofrohet një qasje e re dhe bashkëkohore mbi raportin e shtetit e shoqërisë në lidhje me të kaluarën, si dhe do t’i japë fund të shkuarës së herët të komunizmit në lidhje me jetën publike të Shqipërisë.

Deklarata e Plotë:

Partia Demokratike, pas projektligjit për hapjen e plotë të dosjeve të sigurimit të shtetit,  nismave për burgun e Spaçit e kampin e Tepelenës, vjen sot me një tjetër projektligj, projektligjin “PËR NDËRGJEGJËSIMIN, KUJTESËN KOLEKTIVE, EKSPOZIMIN DHE NDËSHKIMIN PUBLIK TË REGJIMIT TOTALITAR KOMUNIST”.

Një nismë kjo që synon ti japë fund njëherë e mirë përpjekjeve politike për të falsifikuar historinë e regjimit komunist dhe përpjekjeve për ta propaganduar këtë të keqe kombëtare.  Në shtetet totalitare, historia rishkruhet, ndryshohet dhe manipulohet në varësi të interesave politike të atyre që udhëheqin nëpërmjet frikës, dhunës dhe terrorit.  Një shembull tipik i kësaj sjelljeje me të kaluarën, ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës. Për 45 vite, historia e Shqipërisë u rishkrua dhe u rikonceptua, me qëllim që t’i shërbente jo të vërtetës historike të popullit shqiptar, por konsolidimit të plotë të pushtetit hoxhist, si dhe shtypjes ndaj klasave politike të persektuara. Dhënia e atributeve historike familjarëve të diktatorit apo fshirja e personazheve të ndëshkuara nga regjimi në fotot zyrtare janë vetëm ilustrime të këtij fenomeni.

Fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar 31 vite nga ajo natë e ftohtë e 8 dhjetorit 1990, në qytetin Studenti, ku do të merrte rrugë fundi i pakthim i regjimit totalitar komunist dhe fillim i ndryshimeve demokratike, shteti dhe shoqëria shqiptare nuk ia ka dalë të ndërtojë një raport të drejtë me historinë e saj 45-vjecare. Shpesh mendimet, qëndrimet dhe qasjet kanë qenë të ndryshme ndaj kësaj periudhe dhe zhvillimeve të saj, duke krijuar konfuzion dhe keqkuptime rreth të vërtetës historike.  Është për të ardhur keq që akoma sot në ceremoni publike dhe zyrtare, shihen individë të caktuar, përfshirë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, në prani të të cilëve ekspozohen simbole të regjimit komunist, duke krijuar vuajtje dhe dhimbje të panevojshme tek ajo pjesë e shoqërisë që humbi prindërit, familjarët, të afërmit dhe miqtë, por edhe rininë e ndoshta pjesën më të madhe të jetës në burgjet dhe kampet komuniste. Mosnjohja e thellë e kësaj të vërtete, përballja e saj me kurajo dhe guxim, dhe mungesa e hapave të nevojshëm ligjorë kanë qenë pengesa reale në progresin demokratik të shtetit shqiptar.

Pikërisht, me shqetësimin e thellë për raportin problematik që shoqëria shqiptare ka ndërtuar me të kaluarën e saj nën regjimin totalitar komunist, me qëllim njohjen e thellë të së vërtetës historike, përballjen e saj, ndërgjegjësimin e brezave, zhvillimin e kujtesës kolektive, ekspozimin dhe ndëshkimin publik të elementëve të diktaturës komuniste, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike – forcës politike që ishte mishërimi i ëndërrave studentore të dhjetorit 90’ për liri dhe demokraci – kanë ndërmarrë nismën për ofrimin e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse që synon dekomunistizimin e plotë të shoqërisë shqiptare.

Deri më tani, kjo paketë ka ofruar projektligjin për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Spacit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës, si dhe projektligjin për deklasifikimin e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.  Ky projektligj ka për qëllim pranimin me vetëdije të të vërtetës historike të regjimit totalitar komunist, si dhe realizimin e paqes sociale, pajtimin dhe unitetin kombëtar pas një tranzicioni të gjatë shoqëror dhe institucional me përgjegjësinë që në të ardhmen të ndërtohet një shtet i së drejtës, demokratike e social, që ka në themel mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor.

Në objektin e këtij projektligji janë përcaktuar format dhe mënyrat e ndërgjegjësimit, kujtesës kolektive, ekspozimit dhe ndëshkimit publik të natyrës kriminale të regjimit totalitar komunist, pjesë e historisë së Republikës së Shqipërisë, në funksion të ndërtimit për brezat e tashëm dhe të ardhshëm të një shoqërie të re dhe demokratike, që njeh dhe respekton të drejtat themelore të njeriut.

Qëllimi dhe objekti i këtij projektligj ofrojnë një qasje të re, bashkëkohore dhe demokratike, mbi raportin që shteti dhe shoqëria jonë duhet të ndërtojë me të kaluarën e saj. Shoqëritë demokratike që përnjëmend kërkojnë ta njohin thelbësisht historinë e tyre, nuk i tremben fantazmave të së shkuarës, por me kurajo vendosin të përballen me to.Në këtë frymë, ky projektligj ofron për herë të parë disa përcaktime historike, që kërkojnë ligjvënës të guximshëm, në lartësinë e detyrës së besuar nga populli shqiptar, për t’i shqyrtuar dhe miratuar me përgjegjshmëri të lartë politike e patriotike. Kështu për herë të parë projektligji ka sanksionuar “natyrën kriminale të regjimit totalitar komunist”; “regjimin totalitar komunist”; “simbolet e regjimit totalitar komunist”; “propagandën e regjimit”; dhe “organet e diktaturës komuniste”.

Kuptimi dhe pranimi i kësaj terminologjie është thelbësore për zbatim me efikasitet të masave ligjore të nevojshme për ndërgjegjësimin dhe kujtesën kolektive, si dhe ekspozimin dhe ndëshkimin publik të natyrës kriminale të regjimit totalitar komunist. Kështu, ky projektligj ofron për herë të parë detyrimin e ministrive të arsimit dhe kulturës, por edhe cdo organi tjetër shtetëror, që të rishikojnë kurrikulat, dokumentet, programet dhe strategjitë e tyre në përputhje me hulumtimet dhe gjetjet shkencore të ISKPSH-së mbi krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.  Me këtë projektligj partive dhe organizatave politike iu ndalohet edhe propozimi i kandidatëve për anëtarë të pushtetit legjislativ dhe vendor, përfshirë pozicionin e kreut të shtetit, nëse gjatë veprimtarisë së tyre propagandojnë regjimin totalitar komunist dhe/ose përdorin simbole të tij. Tërësia e këtyre masave ligjore synon dekomunistizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, në cdo qelizë të saj; dhe mbi të gjitha ndërtimin e një raporti të drejtë e të vërtetë të brezave me historinë e atdheut të tyre.  Ky projektligj është borxh që PD ka prej krijimit të saj ndaj shoqërisë shqiptare dhe synon mbajë zgjuar kujtesën e shqiptarëve. Edhe me këtë është e paplotë.

Lustracioni duhet të jetë akti përfundimtar për ndarjen njëherë e mirë nga e shkuara e errët e komunizmit dhe ti japë fund njëherë e mirë zgjatimeve të diktaturës në politikë, qeveri, drejtësi, e jetën publike të Shqipërisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *