Aleanca Veri Atlantike (NATO) ka reaguar pas gjendjes së krijuar në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, NATO ka thënë se KFOR është i gatshëm të marrë masa e nevojshme që ta mbajë Kosovën të sigurt.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.
Reagim pati edhe dje nga KFOR-i, ku tha se janë të gatshëm të ndërhyjë në veri të Kosovës nëse rrezikohet stabiliteti, thuhet në njoftimin e misionit të NATO-s në Kosova, pas tensioneve në veri.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, thuhej në reagimin e djeshëm të KFOR-it.
Mbrëmë në veri të Kosovës u krijuan tensione nga ana e serbëve, të cilët vendosën kamionë dhe mjete tjera të rënda në rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime serbët i ndërmorën pasi Qeveria vendosi që nga 1 gushti të nisë zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dolën në një konferencë për media.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”, ndërsa Sveçla tha se 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar dhe disa vetura janë dëmtuar.
Brenda 12 orëve, Sveçla ka njoftuar se përveç në Jarinje dhe Bërnjak, në pikat e tjera kufitare janë lëshuar 1501 dokumente për hyrje-dalje.