Vetingu i zgjatur “detyron” gjyqtari Arjan Aliaj të japë dorëheqjen

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 korrik të ndërpresë vetingun ndaj gjyqtarit të Tiranës, Arjan Aliaj për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra. Po ashtu, u vendos ndalimi i riemërimit të tij në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit, për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se gjyqtari Aliaj e ka dhënë dorëheqjen pasi kishin kaluar me shumë se dy vjet nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar ndaj tij. Sipas KPK, Aliaj ishte njoftuar me 27 shkurt 2020 për fillimin e procesit të vetingut. Në maj të 2022-it, gjyqtari Aliaj ka paraqitur pranë Komisionit kërkesë për pezullim të hetimit administrativ, deri në shqyrtimin e kërkesës për heqje dorë nga detyra që e kishte paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Pasi Komisioni është njohur me vendimarrjen e KLGJ-së për pranimin e dorëheqjes së Aliajt, deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, si dhe me faktin se ky vendim nuk është ankimuar prej tij, e ka ftuar subjektin për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore. Në vendim thuhet se Aliaj ka njoftuar se nuk dëshironte të dëgjohej në seancë dhe se i qëndronte kërkesës për dorëheqje. Bazuar në këtë situatë, Komisioni ka vlerësuar se procedura administrative për këtë subjekt mund të mbyllej pa nevojën e zhvillimit të seancës dëgjimore dhe ka çmuar se vetingu për Aliajn duhej ndërperë sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetuës, sipas të cilës dorëheqja passjellë edhe sanksionin që e ndalon të rikthehet në pozicionin e magjistratit për 15 vjet.

Në përfundim, trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilian ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin e Tiranës Arjan Aliaj. Po ashtu, është vendosur ndalimi i emërimit të tij si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare./BIRN

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *